SPAK lëshon urdhër kontrolli për banesën e motrave Xhovana e Alda Nikolli

Me urdhër të SPAK, policia ka kryer kontrolle në banesën e dy motrave, Xhovana dhe Alda Nikollit. Mësohet se Prokuroria e Posaçme ka dhënë një urdhër kontrolli për banesën e dy motrave, të cilat kanë qenë kryefjalë e medias lidhur me një ngjarje të rëndë të ndodhur pak muaj më parë në Elbasan.

Një sasi tritoli që kishte në shënjestër banesën e dy motrave shpërtheu, por la të plagosur rëndë 29 vjeçarin Enea Themollari. Ky i fundit ndërroi jetë pas 3 muajsh në koma në spital për shkak të plagëve të marra.

Tritoli shpërtheu në shtëpinë ku jetonin me qira Alda dhe Xhovana Nikolli, po pati dëmtime edhe në banesën ngjitur, ku i riu jetonte me familjen e tij. Si pasojë e shpërthimit dera e banesës së 29 vjeçarit ra, duke e plagosur rëndë.

Dy motrat akuzuan publikisht Nuredin Dumanin si autor të ngjarjes. Alda Nikolli deklaroi se kishte qenë në një lidhje me Dumani, ndërsa motra tjetër është e dashura e Amarildo Xhanej, i cili akuzohet se në bashkëpunimin me Leonard Luzin, Muharrem Koroveshin (alias Muharrem Ismaili alias Muharrem Myftaraj) dhe Erio Zejnon po planifikonin vrasjen e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullait në qytetin e Vlorës dy vite më parë.