Ka përfunduar pa konsensus mbledhja e Këshillit të Mandateve, pas kërkesës së SPAK për t’i hequr imunitetin zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Në mbledhjen që nisi që prej orës 10:00 të mëngjesit, PS dhe PD nuk ranë dakord për një datë të dytë, në mënyrë që avokati i Ballukut, por edhe deputetët të njihen me provat e SPAK për numrin dy të qeverisë.
Megjithatë deputetët ranë dakord që të merrnin në dorëzim, për të shqyrtuar provat që Prokuroria e Posaçme ka vënë në dispozicion të tyre në një USB. Palët janë dakordësuar që deputetët, pjesë e Këshillit të Mandateve ta marrin USB-në me vete.
Në mbledhje ishte i pranishëm kreu i ri i SPAK, Klodian Braho dhe dy prokurorët, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Belinda Balluku nuk është e pranishme në mbledhje, por përfaqësohet nga avokati i saj, Ardian Kalija.
Në prononcim për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se “prej orësh nuk është diskutuar asgjë lidhur me sekretin hetimor” dhe se “nuk është marrë parasysh kërkesa e pesë anëtarëve të opozitës për mbledhje transparente për publikun”.
“Edi Rama po i jep kohë vetes për t’u njohur me materialet dhe se deri në ç’nivel shkon kërcënimi apo rreziku i lëshimit të Belinda Ballukut. U bënë aq qesharakë saqë kërkuan që mbledhja e radhës të ishte muajin e ardhshëm”, deklaroi ai, duke falenderuar prokurorët e posaçëm “për profesionalizmin dhe durimin e treguar”.