SPAK i përgjigjet me shifra mazhorancës: Kemi hetuar 629 persona në një vit, por vetëm 37.5% janë nën masën “arrest me burg”

Prokuroria e Posaçme, e cila ka qenë në qendër të sulmeve si nga mazhoranca, fill pas arrestimit të kryebashkiakut, Erion Veliaj si nga opozita, ka bërë një bilanc të vitit që lamë pas. SPAK thotë se gjatë vitit 2024 ka kryer hetime ndaj 629 personave.

Prej tyre, vetëm 236 persona ose 37.5% janë hetuar nën masën e sigurimit “arrest me burg”, i parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Ndërkohë, SPAK ka evidentuar dhe raportin e të paraburgosurve në total në raport me ata që janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Sipas SPAK, 270 persona të hetuar nga SPAK janë në paraburgim, ose 9.7% e totalit.

Ky bilanc i SPAK vjen pak ditë pas reagimeve të socialistëve, të cilët kanë pretenduar se Erion Veliaj mund të hetohej në gjendje të lirë dhe jo prapa hekurave.

E kam deklaruar edhe më herët, se unë nuk bëj pjesë tek ata që e shohin arrestin me burg si alternativën kryesore në masat e sigurisë apo që e shohin përdorimin e instrumentave të drejtësisë së re për statistika penale apo populizëm mediatik“- u shpreh ish-ministri Fatmir Xhafaj lidhur me arrestimin e Veliajt.

Postimi i plotë i SPAK:

Gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime ndaj 629 personave.

Prej tyre, vetëm 236 persona ose 37.5% janë hetuar nën masën e sigurimit “arrest me burg”, i parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

246 persona ose 39.1% janë hetuar në gjendje të lirë.

147 persona ose 23.4 % të hetuar me masa të tjera sigurimi.

Raporti i të paraburgosurve:

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, numri total i personave në paraburgim është 2791 për vitin 2024.

Nga totali prej 2791, numri i personave në paraburgim të hetuar nga SPAK është 270 persona ose 9.7%