SPAK ka mbyllur hetimet dhe i ka komunikuar zyrtarisht akuzat kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili ndodhet në burg që prej tetorit të kaluar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Abokati i Metës, Kujtim Cakrani në një komunikim për mediat tha se janë njohur nga hetimet, që sipas tij nuk kanë asgjë të re. Cakrani hodhi edhe njëherë poshtë akuzat që rëndojnë ndaj ish-presidentit të vendit. Sipas tij, Meta nuk ka asnjë pasuri që të ketë ardhur si rrjedhojë e korrupsionit. Ndër të tjera ai ka bërë me dije se Meta do të gjykohet me gjykim të zakonshëm.
“Kush e ka bërë lobimin dhe kush i ka bërë pagesat, në ketë kërkojmë. Ka qenë një seancë miqësore. Ne kërkojmë kush i ka marrë faturat e këtyre pagesave. Nuk ka asnjë provë të vërtetë.
Kush është fakti penal? Nuk ka fakt penal. Ne do shkojmë me gjykim normal, të zakonshëm. Te çështja CEZ-DIA që ka 7 vite në hetim, është mbledhur vetëm në 30 faqe. Gjithë ajo akuzë e madhe është mbledhur në 30 faqe. Meta ka zero korrupsion dhe zero pasuri të vendosur nga korruspioni”- tha Cakrani në një komunikim për mediat.