Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim dosjen e disa ish-efektivëve në Policinë e Elbasanit, të cilët akuzohen për korrupsion në lidhje me prerjen dhe transportimin e paligjshëm të druve.
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se Zenel Taragjinit dhe Lirian Taragjinit iu është bllokuar një makinë me dru zjarri. Për zhbllokimin e makinës ka ndërhyrë Lulzim Hasa, i cili u ka premtuar ndërhyrje te dy OPGJ-të, Çelnik Toska dhe Sefer Shuka për shumën 300 mijë lekë të vjetra, por paratë nuk janë marrë.
Sipas SPAK, ka dyshime se Çelnik Toska dhe Sefer Shuka në detyrën e Oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, si dhe shtetasi Lulzim Hasa, kanë marrë në disa raste nga shtetasit Zenel Taragjini dhe Lirian Taragjini, përfitime monetare të parregullta, në shuma monetare si dhe përfitime të tjera materiale, për të kryer veprime të lidhura me detyrën dhe funksionin e tyre.
Njoftimi i SPAK:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 19.10.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale me Nr. 187 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve Ç.T, L.H, S.Sh, L.T dhe Z.T.
2. Në seancën e datës 13.11.2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (seanca paraprake) me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin Nr. 104 Regjistri Themeltar, datë 13.11.2023 vendosi:
1.Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
2.Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal me Nr. 187 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve:
Ç.T, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” parashikuar nga neni 319/ҫ i Kodit Penal;
Lulzim Hasa, i cili akuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i katër i Kodit Penal;
S.Sh i cili akuzohet për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
L.T, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funskionarëve të tjerë të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 319 e 25 dhe 245/1 paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal;
Z.T, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funskionarëve të tjerë të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 319 e 25 dhe 245/1 paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal;
3. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për t’u hedhur në short me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.
4. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.