Sot mbahet funerali i Silvio Berluskonit, rreth 2000 persona nderojnë ish kryeministrin në katedralen e Milanos

Ditën e sotme në Itali do të zhvillohen homazhe në nderim të Silvio Berlusconit, i cili u nda nga jeta të hënën pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore si pasojë e leuçemisë.

Mes rreth 2000 personaliteteve që do të ulen në katedralen e Milanos për funeralin e Berlusconit , përveç presidentit Mattarella dhe kryeministrit Meloni , pritet të jenë të pranishëm edhe disa krerë shtetesh dhe liderë partish italianë dhe të huaj: ndër të tjera, Emiri i Katarit., Tamim bin Hamad dhe kryeministri hungarez Viktor Orban . Nuk do të mungojnë figurat politike vendase, familjarët dhe miqtë e ngushtë si dhe personazhe tëbotës së argëtimit të lidhur me gjigantin Mediaset, financat dhe sipërmarrjen, dhe më shumë, dhe eksponentë të botës së futbollit, kryesisht nga Milano dhe Monza. Në sheshin para katedrales pritet të ketë rreth 10 mijë persona.

Piazza Duomo do të rrethohet nga ora 10 e mëngjesit të së mërkurës dhe do të ruhet nga forcat e rendit si e gjithë zona. Priten mijëra qytetarë të cilët do të duan të marrin pjesë në homazhe, ndërsa ceremonia mund të ndiqet edhe nga dy ekranet gjigante që janë ngritur për këtë rast.

Arkivoli i Silvio Berlusconit pritet të mbërrijë në oborrin e kishës së katedrales, ku do të pushojë për disa minuta, në orën 14:50.