Ditën e nesërme, e diel 9 Nëntor do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki të vendit, ndërsa ditën e sotme është heshtje zgjedhore.
Në zgjedhjet që do të mbahen për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë do të votojnë 334 mijë qytetarë.
Një ditë më parë, Policia e Shtetit njoftoi se ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve, si edhe 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi.
Në total, janë 612 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve.
Në Vlorë, Brunilda Mersini e PS, e cila la mandatin e deputetes për kandidimin si kryebashkiake, do të garojë përballë dy demokratëve, kandidatit të mbështetur PD, Dionis Sota, teksa në garë do të jetë edhe Gjergj Nika, anëtari i Këshillit Bashkiak i zgjedhur nën siglën e Parisë Demokratike.
Në Berat, PS ka propozuar kandidatin Ervin Ceca, i cili do të jetë përballë Pavlo Shkarpës.
Në Cërrik, Florenc Doka i PS do të kandidojë përballë kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, për të cilën ka deklaruar mbështetjen edhe PD e Berishës. Në këtë bashki do të ketë edhe një kandidat i tretë, nën logon e partisë ‘Lëvizja Shqipëria Bëhet’ është Eligert Hima.
Në Tepelenë, PS ka propozuar ish-kreun e Gardës Gramoz Sako, ndërsa opozita do të mbështesë Gabriel Gumën.
Sa i takon Bashkisë së Matit, në garë janë tre kandidatë. Altin Bojni nga Partia Socialiste, Suzana Pasha, e pavarur dhe Eduard Brahilika, i cili mbështetet nga opozita.
Kujtojmë se të dielën ishin parashikuar që të mbaheshin edhe zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, pas dekretit të presidentit Bajram Begaj, por ankimimi që bëri në Kushtetuese kryebashkiaku Erion Veliaj çoi në pezullimin e tyre.