Disa nga kryebashkiakët grekë do të vizitojnë sot Himarën, ku do të jenë pjesëmarrës në proteëtsën e organizuar nga organizata Omonia për lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri.
Kryebashkiaku i Athinës, Kostas Bakojanis, kryebashkiaku i Selanikut, Kostantinos Zervas si dhe disa kryebashkiakë të tjerë, së bashku me anëtarët e Omonias dhe qytetarë të Himarës, do të mblidhen përpara godinës së bashkisë ku do të kërkojnë lirimin e Belerit dhe betimin e tij si kryebashkiak.
Kujtojmë se Fredi Beleri mbahet në paraburgim prej datës 12 Maj, pasi u kap në flagrancë duke blerë vota vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale. Pavarësisht se ka kërkuar shumë herë të gjykohet në gjendje të lirë, GJKKO ka vendosur të mos e lirojë.
Sot është afati i fundi që Fredi Beleri të bëjë betimin si kryebashkiak, pasi në rast të kundërt, sipas ligjit, në Himarë do të zhvillohen zgjedhje të reja.