Sondazhi i IRI-t: SHBA-të janë aleati më i rëndësishëm për shqiptarët, Serbinë e shohin si kërcënimin më të madh të vendit

Për qytetarët shqiptarë, SHBA-të janë aleati më i rëndësishëm për vendin tonë. Më pas vjen Italia (10%), Turqia (8%), Kosova (5%) dhe Gjermania (4%).

Këto janë të dhënat e bërë publike sot, pas një sondazhi të realizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), gjatë muajit shkurt të këtij viti.

Ndërkohë si kërcënimin më të madh për vendin, qytetarët shqiptarë shohin Serbinë (36%), Rusinë (32%) dhe Greqinë (9%).

Nga anketimi i Institutit Ndërkombëtar Republikan mbi politikën e jashtme del një përkrahje e gjerë pro-Perëndimore e Shqipërisë dhe Kosovës në krahasim me vendet e tjera, ku përkrahja pro-Perëndimore është zbehur edhe në vendet anëtare të NATO-s si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, dhe ku Serbia mbetet në fund të listës.

87 për qind e të anketuarve në Kosovë dhe 82 për qind të anketuarve në Shqipëri mendojnë se këto vende duhet të ndjekin vetëm politika pro perëndimore dhe pro Bashkimit Europian.

Kosova dhe Shqipëria janë shtetet më pro-perëndimore në Ballkan.

Pyetjes nëse sot do të zhvillohej një referendum për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, 92% e shqiptarëve të anketuar do të votonin pro.

Po ashtu, 89% e qytetarëve të Kosovës do të votonin pro anëtarësimit në union.