SONDAZHI I BAROMETRIT/ Agron Shehaj lideri më i pëlqyer nga opozita! Rritet mbështetja për Mundësinë, PS sërish forcë e parë

Barometri Euronews – Albania ka zhvilluar matjen e katërt zgjedhore në nivel vendi, ku qytetarët janë pyetur për liderin politik që pëlqejnë më shumë dhe se kë parti do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin ditën që janë pyetur.

Agron Shehaj, kreu i Partisë Mundësia, është lideri më i pëlqyer nga opozita dhe partitë e reja, me 37.3% që kanë mendim pozitiv. Në krye të listës, qëndron kryeministri Edi Rama, me 49.4% mendim pozitiv dhe 45.4% mendim negativ.

Adriatik Lapaj renditet i treti për mendimin pozitiv me 35.1%, 34.5% mendim negativ dhe 30.4% janë përgjigjur nuk e di. Më pas vjen Sali Berisha, 33.5% mendim pozitiv për të dhe 61.5% mendim negativ. Arlind Qori 24% mendim pozitiv, 34.7% mendim negativ dhe 41.3% janë përgjigjur nuk e di apo nuk e njoh.

Përsa i përket pyetjes më të rëndësishme, se si do të votojnë shqiptarët, rezultatet kanë nxjerrë rritje të mbështetjes për Partinë Mundësia dhe për Partinë Socialiste.

Përgjigjet në matjen e katërt në nivel vendi tregojnë se: 42.6% e qytetarëve nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot do të votonin Partinë Socialiste

30% e tyre do të votonin Koalicioni Aleanca Shqipëria Madhështore drejtuar nga Sali Berisha.

6% e qytetarëve do të votonin Koalicionin Nisma -Shqipëria Bëhet, 5.6% “Partia Mundësia” 2.1% “Lëvizja Bashkë”, 0.7% Koalicionin Euroatlantik, 0.6% Partia Social Demokrate, 0.6% “Aleanca Kombëtare Shqiptare” 0.5% “Koalicioni Djathtas për Zhvillim”. Ndërkohë 11% e qytetarëve janë të pavendosur për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje. Një pjesë e tyre tregojnë se nuk do të votojnë, një pjesë përgjigjen nuk e di ose refuzojnë të përgjigjen kësaj pyetje.