Socialistët nuk firmosin formularin e konfiktit të interesit, Ina Zhupa: Plarent Ndreca është në hall të madh, bashkë me Milva Ikonomin

Anëtarët socialistë të Komisionit Hetimor për Sterilizimin nuk kanë pranuar të firmosin formularin ku deklarojnë se nuk kanë asnjë konflikt interesi me këtë çështje.

Ky veprim i tyre ka nxitur debate në mbledhjen e këtij Komisioni, me deputeten demokrate Ina Zhupa që ka akuzuar nënkryetarin e këtij komisioni, Plarent Ndrecën dhe deputeten Milva Ikonomi se janë në hall të madh, për shkak se kanë konflikt interesi.

Sipas Zhupës, Ndreca ka qenë avokat i disa të pandehurve për çështjen e “Sterilizimit”, ndërsa Ikonomi ka qenë zv.ministre e Beqajt dhe është thirrur në SPAK për të dëshmuar.

“Unë e kuptoj që zoti Ndreca është në hall të madh. Edhe pasi u çua të ikte dhe e morën në telefon, që u kthye. Ju jeni në konflikt interesi, sepse keni qenë avokat i disa njerëzve të akuzuar për Sterilizimin. Firmoseni atë deklaratë dhe të shkojë në ILDKPI.

Edhe anëtarja tjetër, Milva Ikonomi ka qenë zv.ministre dhe është thirrur në prokurori. Ju keni qenë zv.ministre dhe kryetare e Vlerësimit të Ofertave dhe keni firmosur në emër të Ilir Beqaj.

Firmosni dokumentin e konfliktit të interesave dhe ne të mos merremi më me këtë çështje. Është një detyrim që e vendos ligji, për parandalimin e konfliktit të interesave. Që ju të jeni të pastër me komisionin, të mos ngrihet e njëjta çështje me ju, edhe kur të vijnë dëshmitarët këtu”, u shpreh Zhupa.

Ndërkohë, Plarent Ndreca deklaroi se nuk mund ta firmosë atë deklaratë për shkak se ende Komisioni nuk ka një objekt të përcaktuar.

“Nga ne nuk ka asnjë lloj shqetësimi për sa i përket kësaj kërkese, por ju nuk dëgjoni se dëgjoni vetëm çështjet e partisë tuaj. Ua thashë shumë qartë, kjo është një marrëdhënie individuale mes deputetit dhe ligjit dhe arsyeja se përse nuk ka vend për t’u trajtuar në këtë moment, është se ne nuk kemi asnjë objekt të përcaktuar hetimi. Se nëse përcaktohet objekti i hetimit, mund të dalin edhe nga ju”, u shpreh ai.