Kuvendi ka shtyrë sërish votimin për projektligjin që parashikon rritje të pagave për gjyqtarët e Kushtetueses.
Shkak për shtyrjen është bërë pasi nuk janë kanë qenë të pranishëm deputetët e opozitës, kjo për faktin se socialistët nuk e miratojnë dot projektligjin vetëm me votat e tyre.
Për miratimin e tij duhen 84 vota ndërsa në sallë kanë qenë vetëm dy deputetë të opozitës.
Nga socialistët kundër rritjes së pagave ishte ish-ministri dhe deputeti Fatmir Xhafaj. Ky i fundit tha se nuk është dakord për rritjen e pagës së gjyqtarëve për efekt vështirësie, pasi sipas tij argumentet nuk janë bindëse.
Ndryshe nga Xhafaj, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se kthimi i Gjykatës Kushtetuese në majën e piramidës së pagave, është një detyrim ligjor.
Kjo është hera e dytë që Kuvendi shtyn miratimin e projektligjit për pagat e gjyqtarëve.
Me ndryshimet në projektligj, paga e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet 644 mijë lekë të reja ndërsa e kryetarit arrin 773 mijë lekë.