Socialistët bojkotojnë mbledhjen e komisionit hetimor të Shëndetësisë, Vokshi: Shkelje flagrante e rregullores së Kuvendit

Ka dështuar këtë të mërkurë mbledhja e komisionit hetimor për koncesionet në Shëndetësi, pasi mungonin përfaqësuesit e mazhorancës.

Kryetarja e komisionit Albana Vokshi kishte thirrur mbledhjen për sot në ora 13.00, por socialistët nuk u paraqitën me pretendimin se ajo kishte thirrur mbledhjen pa caktuar datën dhe pa u konsultuar me ta.

Por këto pretendime të socialistëve u hodhën poshtë nga Vokshi, e cila tha se kjo është tentativë e socilalistëve për të penguar punën e komisionit.

 “Kam njoftuar mbledhjen e sotme te Komisionit sipas procedurave parlamentare dhe ne baze te rregullores. Mbledhja e sotme u thirr sepse deputetet e mazhorancës refuzuan që të pranonin kërkesat për informacion, te cilat ne si opozitë i kishim përgatitur, votuan kundër dhe meqë refuzuan te votonin njoftova dje mbledhjen e Komisionit per sot ne ora 13.30. Është njoftuar edhe ne faqen e Kuvendit. Është një tentative tjetër vonuar për të penguar punën e komisionit për zbardhjen e dy aferave atë të Check up dhe Sterelizimin. Mbledhja e sotme bazohet ne rregulloren e Kuvendit, e kam diskutuar dhe me kryetarin Plarent Ndreca qe te formulonim dhe miratonim një rregullore të posaçme por ata refuzuan. Mazhoranca është në shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit. Dua të njoftoj mbledhjen e ardhshme të këtij komisioni ditën e premte ora 11:00”, tha Vokshi gjatë mbledhjes.

Ndërkohë nënkryetari i komisionit, Palrent Ndreca në një reagim në rrjetet sociale thotë se nuk pati vendimmarrje për mbledhjen.

Ai thotë se ndihet i keqardhur kur sheh kolegët e opozitës të mblidhen sipas qejfit.

“Trishtim i madh kur sheh kolegët e opozitës që mblidhen sipas qejfit, në mosrespektim të plotë të rregullave bazike të një organi kolegjial. Çdo vendimmarrje është e Komisionit dhe jo e Kryetares se tij. Asnjë vendimmarrje apo dakortësi nuk ka nga komisioni për mbledhje sot, pavarësisht se dje e kishim në rend dite, por u refuzua të shqyrtohet nga Kryetarja. Njoftimet e njëanshme dhe të pavotuara apo dakortësuara në komision, janë vijim i kulturës së mosnjohjes së procedurave që i ka kthyer në parti “vulëhumbur”, që akoma, sot e kësaj dite, nuk po arrijnë ta gjejnë”, shkruan Ndreca.