Skema mafioze e kredive: Si po tjetërsohen pronat e mijëra shqiptarëve

Nuk është një përrallë.

S’ është as një ngjarje e ndodhur shekuj më parë.

Nuk është një çështje që i takon drejtësisë së vjetër, apo histori me mafiozë e të shkuarës.

Është një zhvatje që u është bërë mijëra njerëzve dhe po vazhdon t’u bëhet dhe sot. Në lojë janë njerëz të fuqishëm, biznesmenë, bankierë, noterë, përmbarues. Por mbase dhe ministra, prokurorë, gjykatës që nga presioni zgjedhin të mbyllin sytë dhe të bekojnë në heshtje shkatërrimin e jetës së mijëra qytetarëve.

Emrin e skemës do ta quajmë “Oktapodi”, njësoj si një denoncuese që vuajti përndjekjen mafioze të disa njerzve të etur për para!

Për të ruajtuar anonimatin e saj dhe të drejtën e privatësisë, zonja do të referohet vetëm me emrin shkurt, Erisa.

Ajo u kthye nga Greqia ku kishte jetuar si emigrante me bashkëshortin e saj në vitin 2010. Vendosin të marrin një kredi në bankën Procredit për blerë një automjet. Makina kushtonte 7 milion lekë të vjetra dhe aq morën. Pas disa vitesh patën vonesa në shlyerjen e saj. Këtu nis dhe shkatërrimi i familjes së saj.

Kompania përmbaruese ‘Shkreli’ nis vjeljen e detyrimit për llogari të bankës Pro Credit dhe nxjerr një titull ekzekutiv nga gjykata për të kthyer shumën 7 milion e 350 mijë lekë të vjetra. Në kërkesën që nxjerr banka bashkë me përmbaruesin, mbi këtë sasi vendosen penalitete dhe kredia rritet me 2 milion e 300 mijë lekë të tjera. Veprim i paligjshëm dhe në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Banka shet më pas kredinë pranë institucionit të mbledhjes së borxheve MCA- Micro Credit Albania.

Një ditë në punën e bashkëshortit paraqitet një përmbarues nga zyra Star ose FS siç është emri i mëvonshëm dhe i kërkon të paguajë kredinë. Mbi shumën 10 milion lekë tashmë ishin shtuar kamata dhe penalitete plus tarifa përmbarimore. Të gjendur në hall dhe me llogari bankare bllokuara, ku ishte paga e bashkëshortit, e vetmja që ushqente familjen, Erisa pranon të firmosë një kontratë për të paguar kredinë duke marrë kredi të re. Bashkëshorti i saj shkon pranë bankës BKT bashkë me përmbaruesin dhe tërheq një çek me vlerë 5.7 milion lekë të vjetra, shumë që nuk e prek me dorë dhe ia jep përmbaruesit, shuma tjetër 5 milion të tjera, i ofrohet si marrëveshje që të ngrijë e të shlyhet me vonë.

Nisin të shlyejnë kredinë me vlerë 150 mijë lekë në muaj. Pas një viti kredia nuk shlyhet në kohë dhe ata detyrohen të marrin një kredi tjetër për të paguar kamatat dhe penalitetet. Marrin 3.5 milion lekë të tjera. Dhe këtë herë vazhdon skema e çekut. Askush nuk sheh para me sy, por paratë kalojnë nga çeku te llogaria e përmbaruesit dhe më pas MCA-së. Pas disa muajve në derën e punës së bashkëshortit të saj shfaqet sërish një person i cili i kërkon të paguhet shuma e ngrirë. Famija merr sërish një kredi nga MCA me vlerë 7.8 milion lekë dhe paratë i shkojnë direkt përmbaruesit.

Nga 7 milion lekë që ishte kredia dhe 7.3 milion vendimi i gjykatës, detyrimet që iu ngarkuan në fund familjes së Erisës bashkë me interesat kapnin vlerën e 20 milion lekëve të vjetra, 3 herë më shumë se detyrimi fillestar!

“Kjo kontratë e fundit ishte shkatërrimi jonë. Shkojmë si njerëz tashmë me lakun në fyt e të implikuar në kredinë e zezë tonën. Kontratat e vjetra nuk i gjenim në shtëpi për të verifikuar shumat, plus sherri që bëmë duke menduar se i erdhi fundi dhe martesës sonë pasi nuk mund të shtyhej një jetë me kredi që vetëm rritej. Ishim të bllokuar mendërisht e të palogjikshëm më në lidhje me këtë çështje. Kemi paguar tashmë që ditën që është lidhur kontrata e fundit e deri më sot, aktualisht dje, pagesa e fundit. Pa u futur në detaje, ne kemi për të paguar akoma dhe 51 këste, ku total në fund na bie shuma 2 030 100 lekë ndërkohë që vendimi i gjykatës ishte 735 255 lekë. E emërtoj këtë agjenci, biznes a shoqëri çfarëdo dhe e kujtdo qoftë një OKTAPOD!” ka thënë një një letër drejtuar Minisrisë së Drejtësisë Erisa R.

Një hetim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë ka zbuluar se ka në total 17 mijë raste të qytetarëve që u janë rritur padrejtësisht detyrimet për borxhe të pashlyera në institucione financiare, mijra prej të cilëve janë shtrënguar që të marrin kredi në institucionin financiar Micro Credit Albania duke iu imponuar me 3 zyra përmbaruesish: të gjithë të lidhur me njëri – tjetrin.

Për detyrime dhe kontrata kredie të fimosura përpara vitit 2014, kur nuk lejohej vendosja e penaliteteve në masën 10% të detyrimit, përmbaruesit kanë mashtruar masivisht debitorët duke i ngarkuar debi të paligjshme. Nga e gjithë kjo skemë kanë përfituar zyrat e përmbarimit dhe institucioni financiar MCA. Ministria e Drejtësisë vlerëson se përmbaruesit kanë shpërdoruar detyrën, ndërsa MCA ka kryer veprën penale të mashtrimit.

Të gjithë përmbaruesit që kanë aplikuar këtë tarifë në masën 10% më shumë se detyrimi real që ekzekutonin, vlerësohet se kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ndërsa përfituesit e këtyre aplikimeve në mashtrim të ligjit dhe mijëra qytetarëve, përfaqësuesit apo ortakët e shoqërive  “Shërbimi Përmbarimor FS” dhe institucionit financiar jobankë Micro Credit Albania vlerësohet se kanë konsumuar veprën penale të mashtrimit të kryer në bashkëpunim.” thuhet në hetimin administrativ të Ministrisë së Drejtësisë.

“Një nga rastet më skandaloze është kur e ka shlyer debinë dhe nuk i hiqnin sekuestron nga prona derisa ia morën dhe i tjetërsuan pronën. Pra dhe pse e pagioi, i morën shtëpinë. Ne kemi depozituar kallzim penal dhe akoma nuk kemi marrë zgjidhje.” thotë avokati Alban Duraj.

Grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë i bëri këto gjetje gjatë një hetimi administrativ në vjeshtën e vitit 2019. Pas kërkesave të shumta për dorëzimin e çështjeve përmbarimore drejtuar shumë përmbaruesve, ndodhi një ngjarje në kufijtë e skandalit.

Më 28 tetor në orën 8:00 të mëngjesit janë paraqitur disa persona të paidentifikuar dhe kanë shkarkuar 104 thasë plehrash me ngjyrë të zeza në hollin e Ministrisë së Drejtësisë, qese të mbushura me dosje. Shkarkimet u bënë nga 3 automjete dhe arriti të identifikohej një nga shoferët, Gentian Kamberi, i cili tha se dosjet nuk ishin të vetat por i kishin thënë t’i shkarkonte aty.

Pas verifikimeve u gjet se dosjet u takonin përmbaruesit me licencë të hequr Arben Meskuti dhe Aldo Daka dhe disa të tjerëve që punonin në “Shërbimin Përmbarimor Zig” dhe “STAR” sot me emër të ndryshuar ”FS”. Të gjtiha këto zyra bashkëpunonin me institucionin financiar MCA. Gjatë marrjes në pyetje që atë ditë, përmbaruesit që kishin emrat në këto dosje kanë mohuar përgjegjësinë. Arben Meskuti ka deklaruar se “Nuk kishte detyrë të dorëzonte dosje dhe asnjëra nuk ishte në emrin e tij. Aldo Daka tha se “Nuk kishte asnjë dosje të regjistruar në emrin e tij dhe se nëpër qese kishte vetëm materiale të përmbaruesve të FS që i kishte lënë në ruajtje në një magazinë.” Albert Gega, Alban Kote, Kejda Seferi, Alketa Tanushi dhe Roland Deda se “Nuk kishin asnjë dosje për të dorëzuar…!”; Grupi i punës i Ministrisë së Drejtësisë gjeti së 2800 dosje ishin nga zyra e përmbarimit Zig dhe 3000 të tjera nga STAR, sot FS.  

Grupi i punës që u morr me hetimin kontaktoi me bankat, kompaninë e shpërndarjes së energjisë OSHEE, drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Policinë e Shtetit, Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe Agjencinë e Kadastrës, nga ku u gjet se mbeteshin dhe 4944 çështje përmbarimore të padorëzuara të shërbimit Zig, STAR dhe FLASH.  Gjithashtu edhe materialet e thasëve ishin fotokopje dhe jo kopje origjinale siç është detyrimi për t’u dorëzuar pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Hetimi i Ministrisë së Drejtësisë gjeti me mijra raste, ku për shuma detyrimesh qesharake janë bllokuar pasuri me vlera të konsiderueshme. I tillë është dhe rasti i familjes Sharko, të cilët rezultonin me një debi në vlerën 55 mijë lekë të vjetra në bankën “Societe Generale Albania”, debi që u ble nga shoqëria Micro Credit dhe për këtë shumë qesharake u vendosën sekuestor dy aparatmente në Tiranë njëri 79 metra katrorë dhe tjetri 90 metra katorë.

“Nëse unë marr 50 mijë lekë kredi, askush nuk mund të marrë shtëpinë si kolateral sepse pikësëpari është pasuri solidare me pjesëtarët e tjerë të shtëpisë dhe vlera është disa herë më e madhe. Këtu ka nevojë për rregullime ligjore, i cili jo se nuk i ka shkuar njeriu në mendje, por presionet korruptive kanë lënë jashtë vëmendjes këtë vrimë që ka krijuar sistemi ligjor. Çdo institucion mikorkredie duhet të kërkojë kolateral, nuk ka kredi pa kolateral. Kreditë me kolateral të hapur janë skema të cilat përdorin këtë si karme për grabitur pasuri me vlera marramendëse.” thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko.

Qëllimi kryesor ishte detyrimi i debitorëve për të hyrë në marrëveshje kredie me institucionin financiar MCA, në të kundërt, përmbaruesit nuk vepronin për të hequr sekuestron dhe kur detyrimi shlyhej. Një shembull tipik është rasti i familjes Hoxha, të cilët kishin 3 milion lekë të vjetra detyrim te banka Pro Credit, kredi që u shit tek MCA dhe për të ekzekutuar detyrimin, u bllokuan 13 mijë metra tokë në zonën e Yzberishtit në kryeqytet. Rastet kur sekuestrot hiqeshin, ishin ato kur debitori pranonte të merrte kredi te institucioni financiar MCA.

“Është e palejueshme të rritësh vlerën e detyrimit disafish. Është vetrëm vendimi i Gjykatës, nuk mund ta rritë askush, përmbaruesi nuk duhet të kalojë këtë shumë dhe bën vetë interpretim. Kemi rastin kur zyra avokatie marrin tagrin e përmbaruesit dhe ëkrëcojnë për marrjen e shtëpisë, shqetësojnë dhe familjarët dhe farefisin në telefon dhe i këkojnë para.” sqaron avokati Duraj.

Disa mund të thonë se pak faj kanë dhe ata që nuk paguajnë kredinë. Për këtë arsye do të sjellim një rast se si një familjar tërësisht i pafajshëm dhe pa asnjë detyrim i është bllokuar shtëpia vetëm sepse i ishte ngatërruar emri si debitor për pagesën e detyrimeve të energjisë elektrike. Pavarësisht letrave të shumta që kishte dërguar, madje dhe një shkrese të dërguar në Ministrinë e Drejtësisë nga administratori i OSHEE në ato vite Ardian Çela, asnjë nga zyrat mashtruese të përmbarimit nuk lëvizi gishtin për t’i hequr sekuestron.

 “Ish-përmbaruesi Arben Meskuti i “Shërbimit Përmbarimor ZiG” që prej datës 14.2.2012 mbante (dhe vijon edhe sot) të bllokuara pasuritë e paluajtshme të shtetasit Flamur Mahmutaj dhe interesimit të këtij të fundit për të hequr masën sekuestros të vendosur gabimisht si pasojë e ngatërrimit të identitetit të tij, i përgjigjet se “Shërbimi ka shpallur falimentimin dhe nuk mund të heqin masën e sekuestros ndaj tij”. Në këtë shkresë evidentohen qartë pasojat dhe përgjegjësitë kur, ankuesit Flamur Mahmutaj, i cili është cënuar padrejtësisht, i janë mohuar të drejtat themelore të pronësisë për 8 vite rresht nga papërgjegjshmëria e një veprimi përmbarimor.” thuhet në hetimin administrativ të Ministrisë së Drejtësisë.

Institucioni financiar Micro Credit Albania nisi aktivitetin e blerjeve të kredive dhe detyrimeve financiare dhe licensohet në maj të vitit 2016 si institucion financiar në fushën e kredidhënies nga Banka e Shqipërisë. Përpara licensimit për aktivitetin e kredisë, skema e dhënies së kredive me çek, pa patur liçencsë dhe duke shtrënguar debitorët me bllokimin e çdo të ardhure të tyre, bëhej në bashkëpunim me disa punonjës të bankës BKT. Për këta të fundit, nuk flet askush për përgjegjësi, por raporti i grupit të punës të Ministrisë së Drejtësisë kërkon hetime dhe për aktivitetin e tyre.

Konstatohet se në këtë skemë shtrënguese kredimarrje dhe mashtrimi kanë marrë pjesë edhe punonjës të bankave të nivelit të dytë BKT duke thyer çeqe në mënyrë të paligjshme nga persona që dukshëm nuk ishin poseduesit realë të këtyre çeqeve me vlera të konsiderueshme monetare”, sugjeron grupi i punës që bëri hetimin administrativ në Ministrinë e Drejtësisë

Kjo skemë nisi duke u facilituar nga sportelet bankat e nivelit të dytë, por më pas Microcredit Albania nisi të ofronte vetë dhënien e kredisë. Familjet e pamundura varfëroheshin dhe fitimet e MCA dhe disa përmbaruesve vetëm shtoheshin.

Po si ka funksionuar skema?

Pronare e kompanisë MCA është Elda Ibro, ndërsa bashkëshorti i saj Olsi Ibro rezulton pronar i studios ligjore ADCA, zyrë që ende nuk ishte licensuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë por merrte tagrat e një studio ligjore duke kërkuar vjeljen e detyrimeve, të drejtë që nuk e kanë as avokatët por vetëm përmbaruesit. Këto shqetësime dhe letra që ADCA u dërgon debitorëve dhe të afërmve të tyre të cilët i kërcënon me marrjen e çdo pasurie, vazhdojnë dhe sot! Në bashkëpunim me Micro Credit Albania vepronin 3 zyra përmbarimore, Zig në pronësi të Arben Meskutit, i cili në periudha të ndryshme rezulton dhe ortak në studion ADCA, por dhe te zyra përmbarimore Flash, kompani që së fundi ishte në pronësi të mamasë së tij, Yllka Meskuti. Aldo Daka rezulton pronar i shërbimit përmbarimor “STAR” dhe ka qënë i punësuar në të shkuarën te zyra e kompanisë “FLASH”. Një dorë përmbaruesish Alban Kote, Roland Deda, Alketa Tanushi, Jordisa Dervishi, Albert Gega, Kejda Seferi, Viola Ahmeti, Bledi Sena dhe Renato Ziu rezultojnë të punësuar herë pranë studios ADCA, dhe herë pas here qarkullojnë në zyrat përmbarimore Zig, FLASH dhe STAR.

Të gjitha kontratat e kredive firmoseshin pranë noteres Ernela Çuberi, bashkëjetuesja dhe nëna e fëmijëve të Arben Meskutit. Ministria e Drejtësisë i ka hequr liçencën në vitin 2019, pasi aktiviteti i saj nuk kryhej në Kavajë siç ishte liçensuar por në Tiranë, ku 7285 veprime noteriale ka qënë për subjektin ADCA. Vëllai i saj Indrit Çuberi ka qënë ortak dhe i punësuar te zyra e avokatisë ADCA dhe administrator te zyra e shitjes së pasurive të patundshme Re/Plus me emër tregtar Re/max Plus.

Duke vendosur urdhra sekuestro mbi pasuri të shumta dhe duke u zgjeruar jo vetëm në fushën e dhënies së kredive me interesa dhe gjoba të larta për njerzit e varfër dhe të pamundur, ky rrjet i shtriu tentakulat dhe në vjedhjen e pasurive të qindra personave. Që kur kjo skemë u pikas nga autoritet dhe Minsitria e Drejtësisë dorëzoi një kallzim prej 700 faqesh në Prokurorinë e Përgjithshme, grabitja u shtua. Tashmë nuk po vendoseshin më vetëm sekuestro, por pronat po nxirreshin në shitje pa vënë në dijeni palën debitore duke u marrë shtëpitë, automjetet dhe çdo gjë.

“E gjithë skema ka qënë e orientuar që duke përdorur mikrokreditë të futeshin te pronat e paluajtshme dhe që kanë vlerë të familjeve që kishin qënë të kapura nga ky karemi i mikrokreditë dhe më pas të përfitoheshin pasuri të konsiderueshme. Dhe këtu ka përgjegjësi që nga sistemi financiar, Banka e Shqipërisë, institucionet financiare dhe sistemi gjyqësopr që ka marrë vendime në dëm të qytetarëve dhe ka bërë të mundur realizimin e kësaj skeme”, shton Soko.

Microcredit në bashkëpunim me zyrat e përmbarimit, Zig, Flash, Star dhe së fundi “TDR Group” ka nisur mbledhjen e detyrueshme të dëmit duke nxjerrë në ankand pronat e vendosura por pa njoftuar asnjëherë debitorin. Këtu ka ndodhur një masakër, ku mijëra pasuri janë tjetërsuar, duke zhvilluar ankande fiktive e duke u mjaftuar me shpallje formale. Shfrytëzohej hapësira ligjore në uljen e vlerës së pronës në ankandin e tretë për ta çuar në vlerë të papërfillshme dhe për t’ia kaluar në pronësi institucionit Micro Credit Albania. Për këtë skemë ka bërë kallëzim dhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqsorë Privatë.

 “Shumë qytetarë janë tronditur nga “ankandet” që u janë bërë pronave të tyre, pa asnjë njoftim, pa asnjë proces të rregullt përmbarimor dhe me çmime përtej edhe qesharakes. Dhjetëra prej tyre kanë konstatuar se pronat u janë tjetërsuar në Kadastër duke u marrë në pronësi nga shoqëri mikrofinanciare. Kërkojmë të qetësojmë qytetarët dhe opinionin publik se, procedura e “ankandeve” të tilla, si dhjetëra shembujt që po sjellin bashkë me këtë komunikatë, është Fiktive, është një Mashtrim! Me mijëra qytetarë janë mashtruar vitet e fundit. Individë dhe familje të tëra shqiptare kanë kaluar deri në trauma psikologjike kur u është bllokuar çdo mjet jetese, paga mujore dhe çdo pasuri e mundshme prej disa mashtruesve të identifikuar publikë”, ka thënë në një deklaratë Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë

Ankandet fiktive me qëllim shtrëngimin e debitorëve duke abuzuar me ligjin dhe duke u marrë pronat e ka zbuluar dhe Ministria e Drejtësisë në kallzimin që depozitoi në vitin 2020 në prokurori.

 Të gjitha veprimet përmbarimore të kryera për kalimin në pronësi të kreditorit  Micro Credit Albania, evidentohet se janë kryer në mungesë të plotë të dijenisë së palëve debitore apo ish-pronarëve të këtyre pasurive, të cilët nuk janë njoftuar dhe s’kanë asnjë dijeni në lidhje me tjetërsimin e pronave të tyre si pasojë e proceseve fiktive të kryera nga përmbaruesit”, konstaton Ministria e Drejtësisë.

Por që nga ky kallzim përpara 4 vjetësh dhe deri më sot, askush nuk ka bërë asgjë. Kjo ka mjaftuar që çifti Elda dhe Olsi Ibro të largohen nga Shqipëria dhe të jetojnë në Paris, ndërsa zyrat e tyre MCA dhe ADCA vazhdojnë të grabitin prona. Dosja hetimore u morr fillimisht nga Prokuroria e Tiranës për të shkuar pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, por sërish u kthye në prokurorinë e Rrethit Tiranë për moskompetencë. Që nga ajo kohë, në prokurorinë e Tiranës janë depozituar kallzime të tjera, si për ankandet fiktive, si për shpërdorimin e detyrës nga ana e përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe si nga grupet rivale mes tyre. Kështu, kryetarit të Dhomës së Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë Tedi Malaveci, i cili po denoncon ankandet fiktive, i është bërë kallzim penal pasi dyshohet se ka ndryshuar emrin dhe ka fshehur dënimin për trafikim të substancave narkotike në Utrecht të Hollandës. Në gjithë këtë mes kuptohet se shkeljet e kësaj skeme janë të shumta dhe futin lojë shumë interesa, çka mund të shpjegojë zvarritjen 4 vjet të hetimeve nga drejtësia e re.

“Një përmasë e tillë dëmi prej 17.000 familjesh do të testonte çdo qeveri. Nuk ëhstë një test vetëm për drejtësinë, por pikësëpari politik. Këtu nuk mund të shthurret në këtë formë ligjzbatimi sa impakti të jetë kaq i madh. Nuk do të kishte qeveri në rruzull që nuk do të ishte rrëzuar”, thotë eksperti Soko.

“Ka shumë zyra përmbarimore që bëjën procese të tilla fiktive, jo vetëm ato që kanë dalë nga hetimi i Ministrisë së Drejtësië dhe askush nuk vepron t’i ndalojë. Vazhdohen dhe sot të grabiten pronat. Nuk i di lidhjet por ndaj kemi dalë këtu. I bëj thirrje qyteraëve mos të bëhen pre e këtyre mashtruesve dhe të kundërshtojnë veprimet e tyre në gjykatë.” thotë avokati Duraj.

Shkelja e të drejtave të kreditorëve duket se ka mbetur vetëm në këto letra, pasi zënkat iu janë lënë luftës për treg, pushtet dhe para. Askush nuk po merret me grabitjen e qytetarëve, me përjashtim të një kaòllëzimi që bëri Ministria e Drejtësisë dhe heqjes së licencave të disa zyrave përmbarimore. Veprimet janë kufizuar vetëm këtu.

Pasi u vu në dijeni të raportit të Ministrisë së Drejtësisë, Banka e Shqipërisë që është autoriteti që licenson ose revokon licencat në tregun e mikrofinancës dhe mbledhjes së borxheve të këqija, miratoi një rregullore ku ndaloi rritjen përtej vlerës 30% të shumës së detyrimit gjatë ekzekutimit të debisë. Por kjo duket se nuk piu ujë për Micro Credit Albania.

Në vitin 2022 banka qëndrore vendos pezullimin e licencës për shoqërinë Micro Credit Albania, por vetëm për aktivitetin e kredidhënies. MCA lejohej të vijonte mbledhjen e borxheve.

“Në shtator 2022, Departamenti i Mbikëqyrjes ka kryer një ekzaminim të pjesshëm pranë subjektit Micro Credit Albania, me objektiv ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të lëna pas ekzaminimit të plotë të kryer në korrik 2020. Nga ky ekzaminim ka rezultuar se rekomandimet e lëna janë realizuar vetëm pjesërisht nga subjekti, ndërsa inspektimi i fundit ka evidentuar shkelje serioze.” ka argumentuar në vendimin e marrë Banka e Shqipërisë.

“Kur dikush shkon të marrë kredi duhet të bëjhet analizë për aftësinë paguese, që njerzit të mos kredi dhe të zhyten më keq në varfëri. Në gjykimin tim ëhstë një skemë e mirëmednuar, sepse nuk kanë bërë asnjë risk vlerësimi, por kanë patur në mendje zhvatjen e çdo gjëje të tyre përfshirë dhe pronat, shtëpitë.” sqaron avokati Alban Duraj.

Më 6 shkurt 2024 Banka Qëndrore pezullon dhe licencën e mbledhjes dhe ristrukturimit të kredive, 4 muaj përpara se kësaj të drejte t’ imbaronte vlefshmëria në qershor të këtij viti.

Hetimi administrativ i Ministrisë së Drejtësisë hedh dyshime për rritjen e shpejtë brenda një jave të kapitalit në vitin 2015 të shoqërisë MCA nga 200 mijë në 1 milion euro, pa patur asnjë dokument që sqaron burimin e parave që kanë ardhur nga rritja e kapitalit, pikë që duhet të ishte objekt i autoritetit që jep licencën.

Nuk ka asnjë dokument, bashkëlidhur ekstraktit historik të kësaj shoqërie, as të dhënave financiare të publikuara, që evidenton burimin e të ardhurave që kanë shërbyer për këtë zmadhim kapitali, kur sipas rregullores ”Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”, burimi i të ardhurave është një ndër kriteret bazë për dhënien e licencës dhe lejimin e ushtrimit të aktivitetit.” konstaton Ministria e Drejtësisë.

Sipas bilancit të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, për vitin 2022 fitimi neto i shoqërisë MCA kapi vlerën 1.5 milion euro, ndërsa të ardhurat nga penalitetet e kreditorëve të këqinj dhe nga interesat kapën shifrën 3 milion eurove. Përfituesit e këtyre parave jetojnë në Paris, ndërsa mijëra qytetarë janë zhytur në varfëri dhe u janë bllokuar shtëpitë për shuma qesharake. Nëse ka një sfidë për drejtësinë e re, është hetimi i kësaj skeme me të gjithë përgjegjësit! Mcn