Skandali te Magjistratura/ Provimi nuk anulohet, “fryhet” sërish lista e fituesve, i shtohen edhe 10 kandidatë të tjerë

Teza e parë e pranimit në shkollën e Magjistraturës nga ku konfirmohen gjyqtarët dhe prokurorët e rinj të vendit u shoqërua me hije të forta skandali, pas denoncimit të vetë studentëve se listës fituese iu shtuan edhe 42 emra.

Provimi i kandidatëve, pasi është dorëzuar nga këta të fundit, është kontrolluar me scantron dhe në prezencën e të gjithëve është shpallur edhe lista fituese nga ku ka rezultuar se 79 emra por më pas ka pasur një rikorigjim të saj dhe në fund u shpallën 121 fitues, ku studentët hodhën akuza për manipulim. Por sikur të mos mjaftonte kjo, listes i janë shtuar edhe 10 kandidatë të tjerë.

Dje pas publikimit të rastitr, në një reagim zyrtar nga ana e Shkollës së Magjistraturës pati një justifikim se numri i kandidatëve fitues kishte rezultuar më i lartë pas një verifikimi të dytë të bërë dhe fajin ia hodhën pajisjes scantron.

Ndërkohë në faqen zyrtare të Magjistraturës jepen edhe arsyet se përse kësaj liste, i janë shtuar dhjetëra emra të tjerë:

Së pari thuhet se Drejtori i Shkollës Arben Rakipi konstatoi një numër mjaft të ulët kandidatësh që rezultonin fitues, krahasuar me vitet e tjera;  

-se kishte teza të cilat ishin vlerësuar me 2 pikë, apo 5 pikë, etj; 

-se pajisja scantron kishte lexuar 96 përgjigje nga 100 përgjigje të çelësit të tezës së provimit, por edhe duke parë ankesat e menjëhershme të konkurrentëve të pranishëm në sallën e provimit, urdhëroi nisjen e një procesi verifikimi administrativ dhe vendosjen në dispozicion të Komisionit të vlerësimit elektronik të një pajisje të re scantron, që do të vleftësonte përgjigjet e konkurrentëve;

Së dyti, Drejtori i Shkollës urdhëroi që, vetëm pasi të bëhej ky verifikim nga Komisioni i vlerësimit elektronik, të shpallej lista e fituesve të fazës së parë dhe pas përfundimit të këtij procesi, të niste verifikimi i të gjitha ankesave të ardhura nga konkurrentët, në përmbushje të detyrimeve dhe rregullave të vendosura në Rregulloren e Shkollës së Magjistraturës.

Dhe kështu, lista nga 79 shkoi në 121 dhe në fund dolën 131 fitues. Por hije dyshimi ka se si listës i janë shtuar edhe kandidatët e tjerë

Në një njoftim nga vetë Shkolla e Magjistraturës, bëhet me dije se në total janë 131 studentë, të kualifikuar për të marrë pjesë në fazën e dytë, e cila do të realizohet si më poshtë:

Dita e parë e fazës së dytë të provimit:

Datë 25 prill 2024, ora 8.00, në ambjentet e Parkut Olimpik, Salla “Feti Borova”, Tiranë 

Dita e dytë e provimit të pranimit:

Datë 29 prill 2024, ora 11.00, në ambjentet e Parkut Olimpik, Salla “Feti Borova”, Tiranë.

Pas dyshimeve për manipulimin e listës dhe shkeljeve që u bën gjatë fazës së parës të testit, Shkolla e Magjistraturës ka vendosur që të vijojnë me testin e radhës dhe jo ta anulojë, siç kërkuan studentët në peticion.

Drejtori i Shkollës Arben Rakipi argumenton se procesi i ndjekur nga Shkolla e Magjistraturës ishte në përputhje të plotë me interesin publik, dhe me synimin që procesi i rekrutimit në Shkollën e Magjistraturës të jetë i paanshëm, transparent dhe i bazuar në meritë.

LISTA PËRFUNDIMTARE E KONKURRENTËVE TË KUALIFIKUAR PËR TË MARRË PJESË NË FAZËN E DYTË