Gjashtë familje në fshatin Bërxullë rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur, për shkak se IKMT u ka lënë vetëm 1 ditë kohë për të nxjerrë jashtë sendet e tyre, pasi godinat do shemben për shkak se aty do të kalojë aksi Thumanë – Kashar.
Por në denoncimin e ardhur në Media Ditari nga njëri prej banorët, thuhet se IKMT e ka bërë gati shkresën që në datën 10 Maj, ndërkohë që atyre kjo letër u është dorëzuar vetëm ditën e sotme. Siç shihet edhe në videon e siguruar nga Media Ditari, punonjësit e IKMT-së shprehen se u vjen keq për procesverbalin që po dorëzojnë, por janë të detyruar që ta dorëzojnë shkresën dhe të ikin.
Sipas banorëve, shkresa e IKMT-së është dorëzuar me vonesë për të mos i lejuar ata të organizohen. Banorët janë informuar në rrugë informale se punonjësit e IKMT-së do të shkojnë nesër në orën 8 të mëngjesit për t’u prishur shtëpitë.
Por, njëri prej tyre kërcënoi se familjet do të digjen brenda dhe nuk do të lejojnë prishjen e shtëpive të tyre, teksa kërkuan ndihmën e të gjithëve për të mos lejuar t’u bëhet kjo padrejtësi.
Ajo çfarë e bën më të rëndë skandalin e IKMT-së, është se familjet kanë aplikuar për t’i legalizuar banesat prej vitit 2014, por deri më sot nuk kanë mundur t’i legalizojnë. Gjithashtu ata shprehen se nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim dhe nuk kanë gjetur banesa me qira, pasi vendimi i IKMT-së ka qenë i papritur.
Kjo nuk është hera e parë që të tilla veprime bëhen nga IKMT, pasi e njëjta procedurë ka ndodhur edhe me banorët e “Unazës së Re”, protestat e të cilëve nuk u dëgjuan nga asnjë. Tashmë, radha u ka ardhur banorëve të Bërxullës, që të shohin se si djersa dhe puna e tyre t’u shembet përpara syve.
Dorëzimi i letrës nga punonjësit e IKMT:
Shkresa e IKMT:

Banesat në proces legalizimi që në vitin 2014:
