Skandali me fondet bujqësore në Greqi, u hiqet imuniteti 13 deputetëve! I hapet rruga hetimit nga BE

Parlamenti grek i ka hapur rrugë hetimit penal për 13 deputetë të partisë në pushtet, Demokracia e Re, në lidhje me skandalin e organizmit shtetëror që menaxhon miliarda euro subvencione bujqësore europiane çdo vit, OPEKEPE.

Kryeprokurori evropian këtë muaj i kërkoi parlamentit grek imunitetin e 13 ligjvënësve aktivë të partisë në pushtet Demokracia e Re, përfshirë ish-ministrat e bujqësisë dhe mbrojtjes civile, në dy dosje të ndara, në mënyrë që ata të hetohen për rolet e tyre të dyshuara në skemë.

Vetë 13 deputetët kërkuan heqjen e imunitetit, duke deklaruar se janë të pafajshëm dhe se duan të pastrojnë emrin e tyre.

Ata thanë se veprimet e tyre kishin të bënin me ndërhyrje për çështje të qytetarëve dhe zonave që përfaqësojnë, duke mbrojtur rolin e deputetit si ndërmjetës mes shoqërisë dhe administratës.

Skandali lidhet me subvencione bujqësore europiane që dyshohet se u morën në mënyrë të paligjshme, përmes deklarimeve të rreme, manipulimeve në aplikime dhe ndërhyrjeve për të favorizuar përfitues të caktuar.

Prokuroria Europiane ka dërguar tashmë disa dosje në Parlamentin grek, ndërsa dëmi i mundshëm ndaj buxhetit të Bashkimit Europian vlerësohet në rreth 2.9 milionë euro.