SKANDALI I MIKROKREDIVE/ SPAK po e heton, Gent Sejko i përgjigjet nga Kuvendi: S’më kanë dhënë asnjë informacion! Më thoni kriminel…

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vënën nën hetim edhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejkon, për sa i përket hetimit për tjetërsimin e pronave të shqiptarëve nga kompanitë e mikrokredive në vendin tonë.

Sot, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë, Gent Sejko i është përgjigjur SPAK-ut, duke u shprehur se po hetohet gabimisht, pasi Prokuroria nuk i ka dhënë asnjë informacion se këto kompani kanë kryer mashtrime financiare.

Sipas tij, po cilësohet “kriminel” kur nuk ka patur asnjë faj, për shkak se i ka munguar informacioni nga Prokuroria e Posaçme. Sejko iu është përgjigjur edhe pyetjeve të deputetëve në lidhje me shqetësimet e qytetarëve për zhvatjen që po u bëhet nga interesat shumë të larta që këto kompani kanë në dhënien e kredive.

“Nëse qytetarët shikojnë shkelje, jo mashtrim financiar. Duhet të na thotë prokuroria nëse ka mashtrim financiar, unë s’kam asnjë informacion nga prokuroria, jo të më thotë mua prokuroria mua ‘ti je i hetuar për shpërdorim detyre’, por të më thotë ‘ja ku janë shkeljet ligjore, ja ku janë problemet dhe vepro’. Dhe atëherë unë si Guvernator po të mos kisha vepruar do të isha fajtor, por unë nuk kam asnjë informacion nga prokuroria. Dyshohem, hidhet gjithë ky tym, mblidheni ju këtu dhe më thoni mua ‘çfarë ka ndodhur, ç’është kjo gjë e tmerrshme që ka ndodhur dhe ti je kriminel’, ndërkohë që unë nuk kam informacion. Informacionin që kemi ne si Banka e Shqipërisë do të duhet ta shikojmë dhe gjykojmë me qetësi dhe ta zbërthejmë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ndihmojmë qytetarët”, tha Sejko.

Lexo edhe: Skandali i tjetërsimit të pronave, SPAK po heton edhe guvernatorin Gent Sejko, BSH “mbyll dyert” për mikrofinancën e kredive të shpejta