“Jepini popullit bukë dhe cirk, dhe ata nuk do të revoltohen kurrë”! Kjo është mënyra me të cilën Edi Rama ia ka dalë të qeverisë për më shumë se 11 vite.
Për çështjen e bukës ka dalë edhe me shprehjen e tij: “S’ka vdekur askush për bukë në Shqipëri”, ndërsa cirkun po na e dhuron çdo ditë me shfaqje dhe skandale nga më të ndryshme. Por, disa herë cirku duket se po shkon drejt dështimit, pasi “tigri” është arratisur dhe po kërcënon të kafshojë ata që e kanë ushqyer.
Të dielën u arrestua me urdhër të SPAK ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, i cili akuzohet për 3 vepra të rënda penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje; “Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Por, përgjimet e aplikacionit “SKY” treguan një skandal më të madh se strehimi në shtëpinë e tij që ish-deputeti i bënte të shumëkërkuarit Altin Hajri. Përgjimet tregonin se si Plaurent Dervishaj dhe Mond Çekiçi, i vrarë në Durrës, kanë biseda mes njëri-tjetrit për ta futur Çyrbjan në listën e PS-së për deputet në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2021, të tretin dhe jo të pestin siç ishte parashikuar.
Lexo edhe: Rasti i Jurgis Çyrbjas tregoi se listën e kandidatëve të PS-së e bëjnë bandat kriminale
Gazetarja Klodiana Lala tregoi dje në emisionin “Të Paekspozuarit” se ka patur përplajse brenda grupit kriminal se kush duhej të ishte i treti në listën e Durrësit, Jurgis Çyrbja apo Ilir Ndraxhi i cili po ashtu del në dosjen “339”.
Si përfundim, pas këshillave apo urdhrave të grupit kriminal, kryeministri Edi Rama vendosi Çyrbjan të tretin dhe Ndraxhin të pestin. Pra, dy deputetë të vendosur në Durrës nga bandat kriminale, teksa nuk dihet sa të tjerë mund të jenë vendosur në të gjithë Shqipërinë.
Por, kur të gjitha mediat kishin bërë gati kronikat dhe do të flisnin gjerë e gjatë për këtë rast, ku duket qartë lidhja e pushtetit me krimin e organizuar, shqiptarëve iu servir një spektakël më i madh.
Ish-kryeministri, ish-Presidenti dhe ish-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u arrestua në mes të ditës duke u tërhequr zvarrë nga makina e tij, me një urdhër të SPAK. Policia vendosi ta arrestojë në mes të qindra njerëzve, një njeri që po i drejtohej selisë së tij për të mbajtur konferencë për shtyp.
Përse ndodhi kjo? Shumë e thjeshtë: Pas arrestimit të Metës, të gjithë e harruan Çyrbjan dhe bandën kriminale që bëri listën e Durrësit, teksa e gjithë vëmendja kaloi te arrestimi i Metës. Çdo emision dje kishte në qendër të vëmendjes arrestimin e kreut të Partisë së Lirisë, duke lënë mënjanë megaskandalin e Ramës dhe lidhjen e tij me krimin.
Emri dhe reputacioni që ka Meta të imponon që të flasësh vetëm për arrestimin e tij, por nëse do të krahasojmë të dy rastet, fshehja e faturave të spitaleve të Metës është shumë më pak se sa rrënjët që ka hedhur krimi i organizuar, që ka shkuar deri në përpilimin e listave të kandidatëve për deputetë.