Skandali i kompanisë “MODI”, misri me Aflatoksinë B1 është hedhur në treg

Pak ditë më parë u bë publik lajmi se kompania “MODI” shpk ka importuar rreth 104 ton misër rifuxho të kontaminuar me Aflatoksinë B1 mbi normat e lejuara.

Ndërkohë Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula ka reaguar në lidhje me këtë rast duke thënë se nga verifikimet rezultoi se sasia ishte e përzier dhe pa gjurmueshmëri.

Sula tha se dyshohet se një pjesë e sasisë është hedhur në treg, pasi të dhënat nga Tatimet tregojnë tregtim prej rreth 119 ton gjatë periudhës nëntor 2025 – shkurt 2026.

Ai bëri me dije se AKU ka marrë masa të menjëhershme: bllokimin e produktit, vendosjen e 5 gjobave, urdhërimin e asgjësimit deri më 3 prill 2026 dhe referimin e rastit në Prokurori për shkelje penale, përfshirë përdorimin dhe tregtimin e produktit të pasigurt.

“Nga 104 ton të bllokuara, janë konstatuar vetëm 9.5 ton, gjendje në datë 04.03.2026. Kjo është objekt hetimi. Ka indicie të forta se ka dalë në treg. Sipas të dhënave nga Tatimet, subjekti ka tregtuar rreth 119 ton gjatë periudhës nëntor 2025 – shkurt 2026.”, tha ai.

Sula sqaroi se ky rast lidhet me ushqimin për kafshë dhe deri tani nuk ka prova për rrezik të drejtpërdrejtë për konsumatorët, por theksoi se institucionet kanë vepruar me kujdes maksimal për të parandaluar çdo pasojë.