SKANDAL PAS SKANDALI/ I mjeri SPAK, ç’të hetojë më parë

Studimi i pak kohëve më parë nxori në pah se Shqipëria është vendi me më shumë lokale në krahasim me popullsinë dhe se shqiptarët janë populli që kalon më shumë kohë në bare dhe restorante.

Por çfarë i bën shqiptarët të shpenzojnë kaq shumë kohë në këto vende? Skandalet! Shqiptarët kanë shumë për të folur, pasi në vendin tonë skandalet plasin ditë pas dite, me qytetarët që tashmë nuk u bën më përshtypje sesa i madh është skandali, por u intereson që të kenë një temë për të biseduar.

Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën qeveritë përballen me skandale të ndryshme, ku për pasojë kryeministrat japin dorëheqjen, duke marrë përsipër dështimin në zgjedhjet e bëra. Por këtu jo! Pavarësisht se skandalet vijojnë të shtohen ku janë të përfshirë edhe drejtuesit më të lartë të kabinetit qeveritar, kryeministri vijon i pashqetësuar, madje ka guximin që fajin t’ia hedhë opozitës.

Ndërkohë, e vetmja shpresë e shqiptarëve për të vendosur drejtësi në këtë vend ka mbetur SPAK. Pothuasje në çdo koment të tyre, kërkohet që Prokuroria e Posaçme të hetojë dhe të vendosë përpara drejtësisë fajtorët. Por çfarë të bëjë SPAK më parë?

Janë mijëra dosje që përfshijnë politikanë shqiptarë dhe jo vetëm në tryezat e prokurorëve të posaçëm. Dosja e Vangjush Dakos, dosja e Damian Gjiknurit dhe Arben Ahmetajt për inceneratorët, dosja e Olta Xhaçkës, ministres së Jashtme që është përfshirë në privatizimin e bazës ushtarake të Limionit në Sarandë, dosja kundër ish ministrit Ilir Beqja, për konçesionin e sterilizimit të pajisje kirurgjikale dhe konçesionin e sipërmarrëses Vilma Nushit…etj.

Janë shumë, por për fat të keq të prokurorëve, dosjet vijojnë të shtohen, pasi korrupsioni në Shqipëri ka kapur majat më të larta. Safet Gjici ishte politikani i radhës që u “shpërblye” me osje në SPAK, pas skandalit të videos erotike. Më pas radha i erdhi Rrahman Rrajes, ish-deputetit socialist me plot “gangsterë” në fis, për të ardhur te Arben Ahmetaj, njeriu që sipas dosjes së SPAK shpërdoroi qindra miliona euro të buxhetit të shtetit.

Por atëherë kur menduam se gjithçka mbaroi dhe vendi do të binte pak në qetësi, një “rrufe në qiell të hapur” erdhi nga Bashkimi Europian. Korrupsioni që kishte pushtuar zyrat e AZHBR-së, Ministrisë së Bujqësisë dhe institucionit që drejton Ilir Beqaj kishte shkuar në veshët e BE-së, me këtë të funidt që vendosi të mos shpërndante më grante për bujqësinë shqiptare, që ka mbetur e njëjtë si në vitet e komunizmit. Me të njëjtat mjete, jo me të njëjtin prodhim, pasi ky i fundit ka rënë, pavarësisht shifrave që nxjerr qeveria sipas interesit.

Tashmë edhe kjo aferë korruptive do të duhet të hetohet nga SPAK, që nuk po di se në cilën ministri të shkojë më parë për të sekuestruar dokumente. Por këtë herë SPAK duhet të jetë më i kujdesshëm, që të mos lejojë një tjetër arratisje të personave të përfshirë në korrupsion.

Po ç’të hetojë i mjeri SPAK më parë?! Ka kaq shumë të korruptuar në politikë dhe institucione, sa mund të vijë një ditë që Dumani apo dikush që do ta zëvendësojë të dorëzohet, të plasë dosjet mbi tavolinë dhe të ikë.

Këtë vend e shpëton vetëm populli që ka, nëpërmjet votës! As SPAK, as SHBA dhe as BE!