VIDEO/ Skandal në Europian, Presidenti i Federatës Ruse shtyn dhe quan tradhtar kampionin shqiptar të mundjes

Një skandal është regjistruar gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë.

Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes njëkohësisht zv/president i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, në momentin e dorëzimit të medaljes së Artë për Chermen Valiev, si Kampion Europe për Shqipërinë, ka bërë një gjest skandaloz, duke ushtruar forcë teksa i vendoste në qafë medaljen dhe më pas duke e shtyrë me duar.

Komiteti Olimpik Shqiptar, teksa ka publikuar pamjet thotë se para se t’i vendoste medaljen, Mamiashvili e ka quajtur përfaqësuesin rus të Shqipërisë “tradhtar”, ndërsa ia ka vendosur në mënyrë arrogante dhe me forcë medaljen në qafë.

Reagimi i Komitetit Olimpik Shqiptar

“Sporti i mundjes është përfshirë në një skandal të vërtetë gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë.

Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, në momentin e dorëzimit të medaljes së artë për Chermen Valiev, si kampion Europe për Shqipërinë, ka bërë një gjest skandaloz, duke ushtruar forcë teksa ia vendoste medaljen në qafë dhe më pas duke e shtyrë me duar.

Gjatë këtij momenti është dëgjuar edhe fjala “tradhtar” për Chermen Valiev, i cili ka zgjedhur të garojë për Shqipërinë”.