Skandal me tjetërsimin e pronave në Dibër, 14 masa sigurie për zyrtarë të Kadastrës dhe përfituesit e skemës

Një operacion i Policisë së Dibrës ka zbuluar një skemë të dyshuar kriminale për tjetërsimin e pronave të paluajtshme përmes dokumenteve të falsifikuara. Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar 14 masa sigurie ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Dibër, si dhe ndaj personave që dyshohet se kanë përfituar nga kjo skemë.

Hetimi ka dokumentuar dyshime për falsifikim dokumentesh dhe veprime administrative të kundërligjshme, me qëllim kalimin e pronave në favor të shtetasit Teshar Doçi dhe familjarëve të tij.

Sipas Policisë, masat e sigurisë “arrest në burg” janë ekzekutuar për Teshar Doçin dhe Fatjon Çakrrin, të dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, në kërkim është shpallur Danjel Gjura, aktualisht Zëvendësdrejtor i ASHK-së Dibër dhe ish-drejtor i këtij institucioni, si edhe ish-kandidat për deputet i Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit. Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në kërkim janë shpallur edhe një notere me inicialet A.M., për të cilën është caktuar masa “arrest në shtëpi”, si dhe shtetasi N.U., familjar i Teshar Doçit, ndaj të cilit është vendosur masa “detyrimi paraqitje”.

Gjithashtu janë ekzekutuar masa të ndryshme sigurie edhe për disa punonjës e ish-punonjës të Kadastrës Dibër, mes tyre specialistë, juristë, hartografë dhe drejtues sektorësh, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në falsifikimin e dokumenteve dhe në procedurat e paligjshme administrative.

Sipas hetimeve paraprake, zyrtarët e ASHK-së dhe noterja e përfshirë në skemë dyshohet se kanë krijuar dokumentacion të falsifikuar dhe kanë kryer veprime të kundërligjshme për të mundësuar tjetërsimin e pronave në favor të përfituesve.

Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet kriminal.