Publikohet marrëveshja 14-pikëshe SHBA-Iran, ja çfarë parashikon memorandumi për armëpushimin

Shtetet e Bashkuara kanë bërë publik tekstin e plotë të marrëveshjes së përkohshme me Iranin, një memorandum 14-pikësh që synon ndalimin e konfliktit dhe krijimin e kushteve për një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditëve të ardhshme.

Dokumenti, i quajtur “Memorandumi i Mirëkuptimit Islamabad”, parashikon ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve ushtarake mes palëve, përfshirë edhe frontin në Liban, si dhe angazhimin që SHBA-ja dhe Irani të mos ndërmarrin më sulme apo kërcënime ushtarake kundër njëri-tjetrit.

Sipas marrëveshjes, të dy vendet zotohen të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe të mos ndërhyjnë në punët e brendshme. Gjithashtu, ato bien dakord të zhvillojnë negociata intensive për arritjen e një marrëveshjeje finale, e cila duhet të përfundojë brenda 60 ditëve, me mundësi zgjatjeje nëse ka konsensus.

Një nga pikat më të rëndësishme lidhet me Ngushticën e Hormuzit. SHBA angazhohet të heqë gradualisht bllokadën detare ndaj Iranit brenda 30 ditëve, ndërsa Teherani garanton kalimin e sigurt të anijeve tregtare dhe rikthimin e plotë të trafikut detar në këtë korridor strategjik.

Memorandumi parashikon gjithashtu krijimin e një fondi prej të paktën 300 miliardë dollarësh për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit pas luftës. SHBA-ja merr përsipër të lehtësojë të gjitha procedurat financiare dhe licencat e nevojshme për zbatimin e këtij plani.

Një tjetër pikë kyçe është heqja graduale e sanksioneve ndaj Iranit, përfshirë sanksionet amerikane dhe masat e tjera ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, SHBA-ja do të lejojë eksportin e naftës iraniane dhe do të zhbllokojë asetet dhe fondet e ngrira të Republikës Islamike.

Në aspektin bërthamor, Irani riafirmon angazhimin se nuk do të zhvillojë armë bërthamore. Të dyja palët bien dakord që çështja e uraniumit të pasuruar dhe aktivitetet e tjera bërthamore të zgjidhen përmes negociatave dhe nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Gjatë periudhës së negociatave, do të ruhet status quo-ja: Irani nuk do të zgjerojë programin e tij bërthamor, ndërsa SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione të reja dhe nuk do të dërgojë forca shtesë ushtarake në rajon.

Marrëveshja parashikon gjithashtu krijimin e një mekanizmi të posaçëm monitorimi për të verifikuar zbatimin e pikave të memorandumit dhe respektimin e çdo marrëveshjeje të ardhshme.

14 pikat kryesore të memorandumit:

  • Ndalimi i menjëhershëm dhe i përhershëm i operacioneve ushtarake.
  • Respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial.
  • Negociata për marrëveshjen finale brenda 60 ditëve.
  • Heqja graduale e bllokadës detare amerikane.
  • Garantimi i lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit.
  • Fond prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin e Iranit.
  • Heqja graduale e sanksioneve ndaj Teheranit.
  • Angazhimi i Iranit për të mos zhvilluar armë bërthamore.
  • Ruajtja e status quo-së gjatë negociatave.
  • Lehtësimi i eksporteve të naftës iraniane.
  • Zhbllokimi i fondeve dhe aseteve të ngrira iraniane.
  • Krijimi i mekanizmit të monitorimit të zbatimit.
  • Nisja e negociatave për çështjet e mbetura pas zbatimit të pikave prioritare.
  • Miratimi i marrëveshjes përfundimtare përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Memorandumi konsiderohet si hapi i parë drejt një marrëveshjeje më të gjerë mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa bisedimet përfundimtare pritet të zhvillohen në Zvicër.