Protestuesit rikthehen në shesh, mbahet sot protesta e 18-të për largimin e Ramës

Tirana proteston për të 18-ën ditë me radhë kundër ndërtimit në Zvërnec dhe largimit të kryeministrit, Edi Rama.

Ndryshe nga ditët e kaluara, orari i protestës u zhvendos me një orë, nga 18:00 në 19:00 për shkak të temperaturave të larta.

Përgjatë këtyre ditëve, pjesëmarrja ka qenë shumë e lartë, me protestues që janë grumbulluar para godinës së Kryeministrisë, duke vijuar mobilizimin e pandërprerë të javëve të fundit.

Më pas ata kanë marshuar në rrugët e Tiranës, por pa krijuar asnjë incident.

Protestuesit kanë thënë se nuk do të dorëzohen deri në largimin e kryeministrit, Edi Rama.

Ky i fundit ka sulmuar sërish protestuesit, të cilët një ditë më parë shkuan pranë “fan zone”, ku shihen ndeshjet e Botërorit.

Rama e quan këtë intimidim që sipas tij paraqitet si aktivizëm dhe “linçimi publik i tradhëtarëve si drejtësi e Zotit në emër të popullit”.