Nga Gabriele Carrer “Huffington Post Italia”
“Asnjëherë mos u kthe në shtëpi në mbrëmje, pa e pyetur veten se ku gjendet spiuni!”. Kjo është këshilla që Riçard Helms, drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në vitet 1966-1973, i dha Robert Gejtsit, drejtor i përkohshëm i sapoemëruar i së njëjtës agjenci, në fundin e një dreke që patën bashkë në vitin 1987.
Një sugjerim gjithnjë i pranishëm, por që sot tingëllon shumë më aktual, pas ditëve të tëra me raportime mediatike mbi aktivitetet e zyrtarëve dhe agjentëve të inteligjencës në shërbim të tyre në vende të ndryshme evropiane, sidomos në Gjermani dhe Britaninë e Madhe, ku individë të lidhura me Rusinë dhe Kinën, janë përpjekur të ndërhyjnë në politikën kombëtare dhe atë ndërkombëtare.
Pra, a janë rikthyer spiunët? Në fakt, ata nuk janë zhdukur asnjëherë nga qarkullimi. Rënia e Murit të Berlinit dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Lufta e Parë e Gjirit, lufta kundër terrorizmit dhe revolucioni teknologjik në epokën e globalizimit. Katër elementë, që në mënyra të ndryshme, e kanë ndryshuar botën dhe perceptimin e inteligjencës, ose më mirë mbledhjen, apo më saktë vjedhjen e informacionit midis shteteve.
Fundi i Murit të Berlinit dhe Bashkimit Sovjetik, sollën me vete edhe fundin ideologjive. Për më tepër, fundi i Luftës së Ftohtë i la shërbimet perëndimore pa “armikun” përballë, dhe për rrjedhojë nxiti kërkimin për një identitet të ri. Kjo është e vërtetë për fuqitë e mëdha, por shumë më tepër për fuqitë e mesme rajonale si Italia.
Lufta e Parë e Gjirit zbuloi fuqinë e medias në “fshatin tonë global”. Lufta kundër terrorizmit, me rikthimin e një armiku edhe pse transnacional, ka bërë që veprimet klandestine të mbizotërojnë mbi inteligjencën e huaj. Këtë e tregon puna e CIA-s në fillim të këtij mijëvjeçari, e cila është kthyer gati një organizatë paraushtarake dhe jo në një shërbim inteligjent.
Më së fundmi, revolucioni teknologjik e zgjeroi arsenalin e armëve për mbledhjen e inteligjencës, deri në pikën ku disa besonin se inteligjenca me burim të hapur (OSINT)
mund të zhdukte inteligjencën e fshehtë. Por asgjë nuk mund të jetë më e gabuar sesa kjo. Përkundrazi, “pavarësisht se bota po ndryshon, spiunazhi mbetet një ndërveprim midis njeriut dhe teknologjisë”, siç shkroi në janar në revistën “Foreign Affairs” Uilliam Bërns, kreu aktual i CIA-s. Sepse siç u shpreh në vitin 2018, Sër Aleks Janger, atëherë kreu i Shërbimit Informativ Sekret Britanik (i njohur edhe si MI6) “edhe në një epokë të Inteligjencës Artificiale, ne kemi nevojë për inteligjencë njerëzore”.
Ky reflektim, mund të përdoret lehtësisht si në debatin mbi rreziqet dhe mundësitë e Inteligjencës Artificiale, ashtu edhe kur flitet për spiunazhin. Nuk mund të mohohet që konteksti i agresionit rus të Ukrainës, karakterizohet nga një rritje e madhe e inteligjencës me burim të hapur, si në aspektin e mbledhjes ashtu edhe të shpërndarjes.
Kompanitë dhe mediat private (si Belligcat, sa për të cituar shembullin më të njohur) kanë qenë në gjendje të kryejnë aktivitete kërkimore dhe hetimore në mënyrë të pavarur. Por edhe verifikimin e deklaratave publike të agjencive shtetërore, kur përdorin të ashtuquajturin “de-klasifikim strategjik”, pra zbulimin e qëllimshëm të disa sekreteve për të dobësuar rivalët dhe për të bashkuar aleatët.
Për shembull, kujtojmë paralajmërimet e bëra nga shërbimet sekrete të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ndaj aleatëve në javët para pushtimit rus të Ukrainës. Kjo praktikë, i ka ndihmuar vetë agjencitë të rikthejnë një pjesë të besueshmërisë që e humbën para opinionit publik në fillim të këtij mijëvjeçari. Megjithatë siç shkroi Bërns, inteligjenca njerëzore mbetet jetike për shërbimet, sidomos “në një botë ku rivalët kryesorë të Shteteve të Bashkuara”, dhe të Perëndimit në përgjithësi, “pra Kina dhe Rusia, udhëhiqen nga autokratë që veprojnë brenda rretheve të vogla e të fshehta të këshilltarëve”.
Kështu, muajt e fundit CIA ka publikuar 3 video në rusisht, duke iu drejtua rusëve të zhgënjyer nga udhëheqja e Vladimir Putinit dhe që e kundërshtojnë pushtimin e Ukrainës. Një moment, të cilin Bërns e përcaktoi si “një mundësi që vjen një herë në një brez për ne në CIA, që jemi një shërbim inteligjence njerëzore“.
Po ashtu, verën e vitit të kaluar kaluar, Riçard Mur, kreu i Shërbimit të Inteligjencës Sekrete, zgjodhi Pragën, qytetin e Pranverës Çekosllovake, rebelimit të shtypur nga tanket sovjetike në vitin 1968, për të mbajtur një fjalim mbi të tashmen dhe të ardhmen e spiunazhit, i kompletuar me një thirrje drejtuar rusëve që të dezertojnë nga fronti.
Në këtë skenar, shërbimet ruse dhe ato kineze nuk e kanë rritur intensitetin e aktiviteteve të tyre në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. As metodat nuk kanë ndryshuar, në rast se është e vërtetë që shantazhet me skenat intime, mbeten një nga më të përhapurat edhe sepse janë ndër më të lirat.
Në fakt, sipas një raporti të fundit nga Fondacioni Xhejmstaun, rrjetet e tyre në Evropë po mbivendosen gradualisht, teksa po forcohet miqësia “e pakufishme” midis Moskës dhe Pekinit. Kështu, shfaqen, ose më saktë dalin në skenë ndihmësit në parlament, të rekrutuar nga shërbimet sekrete të huaja (dhe armiqësore) apo të lidhur drejtpërdrejt me to (si në rastin e fundit në Gjermani).
Por edhe politikanë me lidhje të papërshtatshme me përfaqësuesit e autokracive. Dhe ka më shumë megafonë propagandistike nga Rusia dhe Kina. Më pas janë kriminelët që përdorein për sabotim dhe atentate (si në rastin e 3 të arrestuarve nga autoritetet gjermane dhe polake ditët e fundit).
Së fundi, janë spiunët në agjencitë perëndimore. Ajo që ka ndryshuar, po në dritën e kontekstit ndërkombëtar që u shfaq pas pandemisë Covid-19 dhe agresionit rus në Ukrainë, janë tre faktorë. E para ka të bëjë ekskluzivisht me inteligjencën ruse:roli gjithnjë e më qendror i GRU-së, shërbimit sekret ushtarak, që duket se po zë vendin e SVR-së (kundrazbulimit) në Evropë, por duke lënë më shumë gjurmë.
E dyta, ka një vëmendje më të madhe ndaj kërcënimit, falë edhe homogjenizimit të politikave mes aleatëve, gjë që ka forcuar zbulimin e tij. Dhe e treta, është një prirje më e madhe për të përdorur publicitetin e këtyre rasteve si një metodë kundërvënieje dhe ndërgjegjësimi, me kushtin që subjekti të mos “kthehet me armikun”, ose të mos jetë më e lehtë politikisht ta rikthesh në shtëpi në rastin e kapjes së një oficeri të inteligjencës në veprimtari armiqësore.
I tillë është rasti i Valter Biot, një kapiten fregate i dënuar me 20 vjet burg për spiunazh nga Gjykata e Romës në janar (një gjykatë ushtarake e kishte dënuar në vitin 2023 me 30 vite burg). Ndër arsyet e vendimit të 9 janarit, gjyqtarët e gjykatës përmendën “marrjen dhe transmetimin e lajmeve” tek shërbimet e vendeve kundërshtare.
Ndërgjegjësimi dhe publiciteti, janë elementë themelorë për të përballuar kërcënimin më kompleks në fazën aktuale, pra atë hibrid, i cili mund të thjeshtohet si një seri pikash që duhet të lidhen midis tyre për të përftuar panoramën e plotë. Është vetë natyra e tij që e bën të vështirë identifikimin e mjeteve për ta luftuar, përveç forcimit të ndërgjegjësimit përmes reklamave.
Në fakt, sjellja zhvillohet në fusha të ndryshme (përfshirë kibernetikën), nga aktorë që nuk janë gjithmonë “klasikë” (për shembull kompani, media dhe diaspora jashtë vendit të përdorura si përfaqësues) dhe që janë lehtësisht të mohueshme, gjithmonë një hap nën pragun e konfliktit të armatosur, dhe mbi të gjitha veprimi është i koordinuar.
Dhe e gjitha kjo, duke përfituar nga “disa nga tiparet sistematike që karakterizojnë shoqëritë tona, si hapja e tregjeve dhe garancitë e lirisë dhe pavarësisë së mediave”, siç thuhet në raportin vjetor të inteligjencës italiane për vitin 2023, në të cilin etiketohet Rusia si një ndër “aktorët kryesorë” të këtij kërcënimi.
Spiunët, një term që e pëlqejnë shumë pak njerëz, kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë këtu. Madje miti i Xhejms Bond i ka mërzitur shërbimet sekrete, që ndonëse e vlerësojnë rolin e tij në forcimin e imazhit të tyre, nuk mund të tolerojë stereotipet tashmë janë të vjetruara në lidhje me kontekstin ndërkombëtar, por mbi të gjitha për shoqërinë britanike ndaj zyrtarëve të saj. A mund ta imagjinoni një burrë, gjithë muskuj, dhe me rrobat shumë të puthitura pas trupit, që të flasë për kundër-zbulimin në Teheran pa shkaktuar ndonjë telash dhe pa tërhequr vëmendjen?