Të synosh të zësh vendin e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste është një lojë e rrezikshme pushteti. Këtë duket se e ka mësuar në mënyrën më të hidhur Erion Veliaj, i cili, në një moment kur besonte se kishte konsoliduar pozitat e tij brenda PS-së dhe po përgatitej të ishte pasardhësi i mundshëm i kryeministrit, mori goditjen që i përmbysi të gjitha ambiciet politike.
Gjithçka nisi me denoncimin e bërë nga një personazh misterioz, i njohur me emrin Nesti Angoni. Identiteti i tij mbetet i panjohur për publikun, ndërsa së fundmi është raportuar se vetë Veliaj ka ngritur dyshime se pas këtij emri mund të fshihet një person me lidhje të afërta me Kryeministrinë.
Por, me qëndrimin pas hekurave Erion Veliaj nuk humbi vetëm lirinë, por edhe pushtetin brenda PS-së, si dhe miqtë deputetë për të cilët kishte luftuar fort që t’i fuste në Parlament. Dhe këta miq, prej 2 vitesh as nuk guxojnë t’i shkojnë për vizitë në burg, pasi kanë urdhër “nga lart” që të shkëputen sa më shumë prej kryebashkiakut.
Edi Rama, megjithatë, nuk u mjaftua me dobësimin e ndikimit të Veliajt, pasi në zgjedhjet e vitit 2025 u sigurua që shumë prej tyre të mos ishin më as pjesë e Kuvendit, ndërsa shumë pak prej tyre i mori pranë vetes, duke i kthyer në shërbëtorë të tij.
Etien Xhafaj, Toni Gogu, Plarent Ndreca, Blerina Gjylameti dhe Klotilda Bushka janë disa prej emrave që dikur konsideroheshin pjesë e rrethit të Veliajt. Në zgjedhjet e vitit 2025, ata nuk arritën të siguronin të gjithë një mandat deputeti, duke u lënë jashtë Kuvendit, duke u zëvendësuar me figura të reja që janë në shërbim të verbër ndaj kryetarit të partisë.
I vetmi mbështetës i Veliajt që arriti të merrte mandatin ishte Fatmir Xhafaj, por që prej dosjes së të vëllait, edhe ai ka kyçur gojën para urdhrave të Ramës.
Kujtojmë se Blerina Gjylameti ishte shumë afër mandatit, duke rivalizuar me Olta Xhaçkën, por kjo e fundit duket se ishte e preferuara e Ramës, që kërkonte t’i jepte imunitet, pasi dosja e SPAK e rrezikonte shumë. Rama urdhëroi Gjylametin të mos kërkonte rinumërimin e kutive, duke e shpërblyer mme një post si drejtoreshë e AKU-së.
Edhe Etien Xhafaj mori një pozicion drejtues, duke u emëruar në krye të Postës Shqiptare, ndërsa Klotilda Bushka është tërhequr nga skena politike, pavarësisht se emri i saj është përmendur edhe në dosjen që lidhet me çështjen Veliaj.
Por transformimi më domethënës duket se ka ndodhur me Toni Gogun. Personi që dikur kishte një lidhje të afërt personale dhe politike me Erion Veliajn, madje ishte edhe celebruesi i martesës së tij me Ajola Xoxën, sot është bërë një nga njerëzit më të afërt të Ramës, që e emëroi Ministër të Drejtësisë.
Jo vetëm kaq, por tashmë Rama e përdor edhe për t’i dhënë kërcënime mafioze Veliajt, që ky i fundit të japë dorëheqjen.
Vetë Veliaj tregoi se si Toni Gogu i kishte shkuar në burg në orën 23:00 për t’i përcjellë kërcënimet e Ramës. Ironike se si njeriu që do të duhej të më besniku ndaj tij, vjen një ditë dhe e kërcënon në emër të dikujt tjetër. Këtë herë, pastori Toni po i shërbente një tjetër “Zoti”, atij që i ka dhënë pushtet.
I vetmi që i ka qëndruar në krah Veliajt është Plarent Ndreca, që është edhe avokati i tij. Madje, në kërcënimet e përcjella me Toni Gogun, Rama kishte kërkuar që Veliaj të mos këshillohej më me Ndrecën.
Kështu, klani “Veliaj”, që dikur shihej si një nga grupimet më me ndikim brenda PS-së dhe si një alternativë e mundshme për të ardhmen e partisë, duket se është shpërbërë. Të vetmit që po përfitojnë janë ata që shitën miqësinë për pak më shumë pushtet.
Në politikën shqiptare, besnikëria zgjat aq sa zgjat pushteti. Dhe rasti i Veliajt duket se është një tjetër dëshmi se në Partinë Socialiste, vetëm njëri mund të jetë në krye të piramidës. Të gjithë të tjerët, herët a vonë, duhet të zgjedhin se kujt i shërbejnë.