Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të hënën se FBI-ja po heton drejtorin ekzekutiv të kompanisë Nvidia, Jensen Huang, lidhur me raportimet për marrëdhënien e tij me një biznesmene kineze, e cila dyshohet se ka qenë spiune në shërbim të Pekinit.
Trump tha se ishte “i habitur” nga pretendimet e bëra publike për Huang, një prej aleatëve të tij më të afërt në Silicon Valley. Sipas presidentit amerikan, ai kishte biseduar me drejtuesin e Nvidia-s, i cili i kishte thënë se nuk kishte pasur dijeni për lidhjet e dyshuara të gruas me shërbimet kineze të inteligjencës.
“E di që FBI-ja po e shqyrton këtë çështje. Mendoj se ai do të jetë në rregull”, deklaroi Trump.
Aksionet e Nvidia-s u mbyllën të hënën me rënie prej më shumë se 4%, pasi bordi drejtues i kompanisë nisi një hetim të brendshëm për të përcaktuar nëse Huang ishte vënë në shënjestër të një operacioni të mundshëm të inteligjencës së huaj.
Hetimi, i bërë publik të dielën, ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e Huang në krye të kompanisë, e cila është prodhuesi më i vlefshëm i çipave në botë dhe një prej aktorëve kryesorë të zhvillimit të inteligjencës artificiale.
Huang, 63 vjeç, u ka pranuar punonjësve të Nvidia-s se kishte qenë i pabesë ndaj bashkëshortes së tij, pa dhënë detaje të tjera për marrëdhënien.
Drejtuesi i njohur për xhaketat e tij prej lëkure gëzon popullaritet të jashtëzakonshëm në mbarë botën, veçanërisht në Azi, ku shpesh takohet me fansat, bën fotografi me ta dhe firmos autografe.
Sipas të dhënave të LSEG, Huang zotëron rreth 3.6% të aksioneve të Nvidia-s, duke qenë aksioneri i pestë më i madh i kompanisë. Ai ushtron gjithashtu kontroll të fortë mbi drejtimin e saj, përmes një strukture organizative të pazakontë, ku dhjetëra drejtues raportojnë drejtpërdrejt tek ai.
Ndryshe nga kompanitë e drejtuara nga Mark Zuckerberg dhe Elon Musk, Nvidia nuk ka një sistem të dyfishtë aksionesh që do t’i garantonte bashkëthemeluesit Huang kontrollin e shumicës së votave.
The New York Times raportoi se Trump ishte informuar për marrëdhënien e Huang me gruan dhe për pretendimet se ajo i përcillte informacione qeverisë kineze, por se presidenti kishte zgjedhur të mos ndërhynte.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, i hodhi poshtë këto pretendime.
“E ashtuquajtura histori e spiunes kineze është një akuzë krejtësisht e pabazë, shpifje dhe përpjekje për të njollosur”, deklaroi ai para gazetarëve në Pekin.
Marrëdhënia e Huang me Trump ka përkuar me disa zhvillime të favorshme politike për Nvidia-n. Presidenti amerikan e ka lavdëruar vazhdimisht drejtuesin e kompanisë, duke e nderuar në tetor me çmimin më të lartë kombëtar për arritjet shkencore.
Në të njëjtën ditë, Trump bëri të ditur se gjatë verës kishte blerë aksione të Nvidia-s me vlerë deri në 1.6 milionë dollarë dhe kishte shitur aksione me vlerë deri në 1 milion dollarë.
Nvidia mbron drejtuesin, aksionerët nisin proces gjyqësor
Bordi drejtues i Nvidia-s ka shprehur besimin e tij te Huang, i konsideruar nga shumë analistë të Wall Street-it si një prej figurave më të rëndësishme të bumit të inteligjencës artificiale.
Analistët pranojnë se situata krijon pasiguri lidhur me mundësinë e një pasardhësi në krye të kompanisë, por shumica nuk presin që hetimi të çojë në largimin e Huang nga posti.
“Nvidia nuk është një kompani e zakonshme dhe Jensen nuk është një drejtues i zakonshëm. Ai është vetë Nvidia. Ai përcakton qartë strategjinë dhe drejtimin afatgjatë të kompanisë dhe ushtron kontroll mbi pjesën më të madhe të vendimmarrjes”, deklaroi Stacy Rasgon, analist në kompaninë Bernstein.
Ndërkohë, aksionerët e Nvidia-s ngritën të hënën një padi kolektive kundër Huang dhe kompanisë, duke i akuzuar për mashtrim të investitorëve, përmes fshehjes së lidhjeve të pretenduara të drejtuesit me një person të dyshuar si spiune kineze.
Lajmi ka nxitur gjithashtu shqetësime në Kongresin amerikan për sigurinë kombëtare dhe qasjen e Kinës në teknologjinë e avancuar të inteligjencës artificiale.
Ligjvënës dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme i thanë Reuters se zhvillimet e fundit mund të rrisin gjasat për miratimin e legjislacionit që do të kufizonte më tej aksesin e Kinës në çipat e inteligjencës artificiale.
Kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, deklaroi të hënën se Kongresi ka nevojë për më shumë përgjigje lidhur me këtë çështje. Ai kërkoi gjithashtu miratimin e projektligjit vjetor të mbrojtjes, i cili përfshin kufizime për shitjen e çipave drejt Kinës.
Sipas raportimit të The New York Times muajin e kaluar, Huang kishte pasur një marrëdhënie me Alice Huang, ish-drejtuese e kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor, e cila nuk ka lidhje familjare me drejtuesin e Nvidia-s.
Autoritetet amerikane kishin hetuar Alice Huang dhe, sipas raportimit, kishin arritur në përfundimin se ajo ishte një aset i inteligjencës kineze.
Kompania Megaspeed nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reuters për koment të hënën, ditë pushimi zyrtar në Singapor.
As Alice Huang nuk kishte reaguar ndaj raportimit të parë të The New York Times muajin e kaluar. Reuters deklaroi se nuk kishte arritur të përcaktonte vendndodhjen e saj për të kërkuar një koment lidhur me zhvillimet e fundit.