Shuhet shkrimtari i madh Milan Kundera, autor i romaneve që ndryshuan shekullin e 20-të

Është shuar në moshën 94 vjeçare shkrimtari i famshëm çek Milan Kundera. Lajmi u bë i ditur nga Televizioni kombëtar çek. Një ndër shkrimtarët më të shquar të shekullit 20-të Kundera e konsideroi gjithmonë veten francez dhe donte që puna e tij të njihej dhe të studiohej si literaturë franceze.

Kundera lindi në Brno, u largua nga Çekosllovakia komuniste dhe jetoi në Francë që nga viti 1975, ku botoi disa nga veprat e tij më të famshme, duke përfshirë “Libri i të qeshurit dhe harresës”, “Arti i romanit” dhe “Pavdekësia”.

Por kryevepra e tij e cila e ktheu në një yll letrar ndërkombëtar ishte  “Lehtësia e padurueshme e qenies”, ku tregohej historia e një trekëndëshi dashurie në sfondin e Pranverës së Pragës. Me këtë vepër ai u nominua disa herë për çmimin Nobel por nuk e fitoi kurrë atë. Veprat e tij u përkthyen në 40 gjuhë.

Librat e tij u ndaluan nga regjimi komunist në Çekosllovaki, deri në rënien e këtij regjimi nga revolucioni Velvet në vitin 1989.

Kundera herë pas here vizitonte Republikën Çeke, por gjithmonë në mënyrë të fshehtë dhe nuk foli kurrë publikisht për mediat.

“Nuk ka një ëndërr të tillë për një kthim”,  ka thënë në një intervistë me të përjavshmen gjermane Die Zeit. “Kam marrë Pragën time me vete; erën, shijen, gjuhën, peisazhin, kulturën”.