Shtyhet sërish gjyqi për tragjedinë e Potamit, gjyshi i Jonada Avdias: Skenar për të ulur dënimin e atyre që e vranë

 Është shtyrë sërish gjyqi për vrasjen e 7 vjeçares Jonada Avdia në Potam, nga skafi që drejtohej nga efektivi Arjan Tase.

Për të disatën herë Gjykata e Vlorës ka shtyrë sërish seancën, ndërsa gjyshi i të miturës, prindërit e së cilës jetojnë në Angli, ka ndjekur nga afër gjyqin. Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e avokatëve të të pandehurve, ndërsa data për zhvillimin e seancës së radhës u caktua 17 janari 2024.

Gjyshi i vajzës,  Ismet Avdia, dha një deklaratë për mediat, ku tha se ka besim tek drejtësia, por se i druhen një skenari të Gjykatës. Sipas tij, shtyrja e seancave po bëhet qëllimisht që të akuzuarve t’u jepet dënim minimal.

“Kjo është seanca e tetë, e një gjyqi paraprak që zgjat pothuajse 6 muaj, në një kohë që për 8 muaj prokurorja e nderuar ka arritur të mbyllë dosjen. Ajo u shty sërish sot. Ne jemi shumë të shqetësuar, dua të deklaroj përmes ekraneve tuaja.

Ky është një skenar, unë këtë skenar e kam dyshuar, por ai u bë realitet. Ky skenar që krijoi një lodhje për të bind publikun dhe udhëzuesit e lartë të gjykatës se kjo çështje duhet të gjykohet bashkërisht ashtu siç është hetuar. Ata e ndanë dhe kjo ndarje krijon hapësira për gjykim të shkurtuar dhe në fund skenari do jetë një dënim simbolik pas dy vitesh. Ne i besojmë ende drejtësisë, por u bëjmë thirrje organeve të larta të drejtësisë që ta shohin. Tragjedia e Himarës është një pjesë dhimbshme jo vetëm e familjes sonë, por  e gjithë popullit shqiptar. Ky është një skenar për ta zbutur dënimin ndaj atyre që e vranë Jonadën”, tha Ismet Avdia.

Kujtojmë që më 1 dhjetor, Gjykata e Vlorës ndau dosjen e ngjarjes së gushtit të vitit 2022 në Himarë. Ish-punonjës i policisë, do të gjykohet më vete, pa 8 punonjësit e tjerë të policisë së Himarës, nën akuzë për shpërdorim detyre.

7-vjeçarja Jonada Avdia humbi jetën në gusht të 2022, tragjikisht në plazhin Potam të Himarës teksa po lahej në det, pasi u godit nga një gomone, e cila në kundërshti me rregulluat, po lundronte brenda kordonit të sigurisë.