Shtyhet sërish seanca për inceneratorin e Elbasanit, shkak është bërë mungesa e një avokati. Seanca e radhës do të mbahet në 22 qershor, ora 15:00.
SPAK ka përfunduar hetimet lidhur me këtë çështje dhe pak ditë më parë dha pretencën, duke kërkuar dënimin me 10 vite burg për ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka.
Të njëjtin dënim SPAK kërkoi edhe për administratorët Klodian Zoto e Mirel Mërtiri dhe nëse shpallen fajtorë, ata do të vuajnë dënimin me 6 vite e 8 muaj burg për shkak se është pranuar kërkesa e tyre për gjykimi të shkurtuar.
Koka akuzohet për shpërdorim detyre, korrupsion i zyrtarëve të lartë shtetërorë e pastrim parash. Ndërsa për administratoren tjetër Stela Gugallja, prokuroria kërkoi dënimin përfundimtar me 4 vite e 8 muaj. Ajo është ende në kërkim, bashkë me Mërtirin e Zoton.
Sipas prokurorisë, Lefter Koka në cilësinë e ministrit të Mjedisit ka dhënë me koncension dhe ka lejuar ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit duke përfituar ryshfet 3.7 milionë euro nga administratorët e kompanisë.
Ndërsa Alqi Bllako (i cili sot ishte i pranishëm në seancë) në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë, kanë organizuar procedurën për ngritjen dhe dhënien me koncensin të inceneratorit në kundërshtim me ligjin.
Avokati i ish-ministrit të mjedisit Lefter Koka, në seancën e kaluar ka akuzuar prokurorinë për hetime të paplota, pasi sipas tij, megjithëse ish-zyrtari i lartë akuzohet për korrupsion, në dosje nuk është shpjeguar momenti konkret kur ka ndodhur kjo vepër penale me incineratorin e Elbasanit. Gjatë seancës, mbrojtësi ligjor i ish-ministrit, tha se SPAK ka vendosur nën sekuestro pasuri me vlerë disa herë më të lartë se shuma e ryshfetit që pretendohet se ka përfituar Lefter Koka.