Shtëpitë e prokurorëve dhe gjyqtarëve, këto “MINIERA ARI” për hajdutët

Vettingu në sistemin e drejtësisë nxori në pah korrupsionin në të cilin ishin zhytur prokuroritë dhe gjykatat në vendin tonë, pasi shumë prej njerëzve që kishin vendosur (pa) drejtësi për vite me radhë u shkarkuan për shkelje të ndryshme, madje disa prej tyre edhe u proceduan penalisht.

Pjesa më e madhe e tyre nuk mundën të justifikonin milionat që kishin “gllabëruar” për vite me radhë jo vetëm nga qytetarët e thjeshtë, por më shumë nga “të fortët” e të pushtetshmit që në 30 vite demokraci e vodhën këtë vend e nuk u ngopën kurrë.

Deklarimi i pasurive të togave të zeza bëhet çdo vit, por sa i vërtetë është? Prokurorët dhe gjyqtarët deklarojnë sa u intereson, ndërkohë që ryshfetet mundohen t’i fshehin si të munden, shpeshherë në shtëpi, nëpër kasaforta apo “poshtë dyshekut”. Tashmë shtëpitë e tyre janë kthyer në “miniera ari” për “skifterat”, që kanë 2 avantazhe të mëdha kur hyjnë në shtëpitë e këtyre njerëzve: 1- Nuk dalin kurrë duarbosh, pasi në mos lekë, bizhuteritë dhe sendet personale të vjedhura do u sigurojnë miliona; 2- Nuk mund të denoncohen, pasi kallëzimi ndaj tyre do të nxirrte në pah lekët e pista të këtyre zyrtarëve.

Pre e grabitësve kanë rënë jo vetëm gjyqtarë e prokurorë të thjeshtë, por edhe vetë ish-kreu i SPAK, Arben Kraja. Hajdutët u futën në vilën e tij në Gjirin e Lalëzit mesnatën e 2 Gushtit të vitit 2021. Lajmi u publikua nga Albania Post dhe bëri bujë të madhe, por u mohua menjëherë nga vetë Kraja. Pavarësisht deklaratës së tij, pak muaj më vonë doli edhe video e hajdutëve që u futën në shtëpinë e Krajës dhe morën lekët që ndodheshin në portofolin e tij.

Rasti i fundit është i Shpëtime Pitakut, gjyqatres së gjykatës së Durrësit, banesa e së cilës u vodh mesnatën e sotme. Ajo ka pretenduar në polici se i kanë vjedhur bizhuteritë dhe 2 mijë euro. Kujtojmë se Shpëtime Pitaku është kosideruar një ndër gjyqtaret më të pasura të sistemit të drejtësisë. Pitaku është kallëzuar penalisht në vitin 2015 nga ILDKPKI për pastrim parash dhe fshehje të një pasurie me vlerë 1 milionë euro.