Komoditeti i të punuarit nga shtëpia duket se i ka “infektuar” deputetët e mazhorancës, të cilët kanë vendosur që edhe sot mbledhjet e Komisioneve Parlamentare t’i zhvillojnë online, pavarësisht se Shqipëria nuk është në gjendje lufte dhe as në gjendje të jashtëzakonshme.
Për ditën e sotme janë parashikuar të zhvillohen mbledhjet e 3 Komisioneve, ku do të diskutohen disa projektligje shumë të rëndësishme, siç është ai për buxhetin e vitit 2024.
Komisioni për Ekonominë dhe Financat, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, do të zhvillohen online, pasi deputetët e mazhorancës i tremben bllokimit të mbledhjeve nga opozita, që ka paralajmëruar se nuk do të lejojë zhvillimin e asnjë komisioni apo seance plenare në kushte normale.
Ndaj, deputetët e mazhorancës, disa nga makina apo lokalet e kryeqytetit, do të diskutojnë ligjet e rëndësishme me mendjen njëherë te diskutimi dhe herë tjetër te timoni e rruga.