Shteg dhish, rruga e hapur që çoi në burg kryebashkiakun e Fushe-Arrëzit

Kjo është rruga për të cilën ditën e djeshme ra në pranga ish kryebashkiaku socialist i Fushë Arrëzit Fran Tuci.

Sot është mbajtur seanca për masën e sigurisë ndaj tij dhe ish administratorit të njësisë Iballë Ndoc Marku. Gjykata ka vendosur “arrest me burg” për Fran Tucin dhe ka lënë në “arrest shtëpie” Ndoc Markun, të dy të akuzuar për shpërdorim detyre. Fadromisti D. Margjeka vijon të jetë në kërkim. Ai akuzohet për shkatërrim prone.

Ata kanë dhënë leje për një rruge në një fshat të thellë të kësaj njësie të akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkatërrim prone.

Foto e mësipërme tregon rrugën e hapur nga banorët e zonës prej 1.8 km, ku ish-kryebashkiaku me administratorin dhanë aprovimin për punimet në rrugë.

Sipas njoftimit nga SPAK dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.