Gjatë 5 muajve të parë të 2023, shqiptarët kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për të siguruar pronat, jetën apo shëndetin. Numri i kontratave është rritur ndjeshëm nga viti i kaluar në 505 mijë (13% rritje nga vjet).
Sipas Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, të ardhurat nga sigurimet bruto për këto muaj janë rritur rreth 15% më shumë se në të njëjtën periudhë, një vit më parë.
Kompanitë e sigurimeve kanë rritur arkëtimet në rreth 65 mln euro, çka tregon se shqiptarët po shqetësohen gjithnjë e më shumë për t’u siguruar.
Rritja e sigurimeve të pronave u vu re që pas rënies së tërmetit në nëntor të 2019 dhe vazhdon të jetë në rritje.
Në raportin e AMF shihet se tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që zënë 92% të vëllimit të përgjithshëm të primeve dhe vetëm 8 përqind janë sigurime jete.
Shifrat tregojnë qartë se tregu nuk po bën asnjë përparim në drejtim të rritjes së peshës së sigurimeve vullnetare, që paraqiten gjithnjë e më në pakicë në strukturën e primeve të tregut. 53% të llojeve të sigurimeve i zënë ato të detyrueshme, si psh sigurimi i makinës.
Nga ana tjetër dëmet e paguara prej kompanive janë ulur me rreth 0.3% nga 5 mujorshi i parë i 2022.