Shqipëria po lind si Amerika, shkrimi i gazetarit për Kuvendin e parë në 1921

Ilir Ikonomi

Hapja e parlamentit të parë shqiptar në Tiranë më 21 prill 1921, tërhoqi vemendjen e korrespondentit të gazetës Chicago Daily News, i cili na jep një përshkrim të rrallë në numrin e datës 26 prill, si dëshmitar i ngjarjes. Kuvendi u mblodh në shtëpinë e Zija Toptanit, ku sot ndodhet Akademia e Shkencave. Dritaret e sipërme të ndërtesës në foto, që shohin nga Rruga e Elbasanit, janë të sallës ku u mblodhën deputetët, e cila sipas korrespondentit i ngjante një klase shkolle.

Ja përkthimi i plotë:

SHQIPËRIA E RE PO LIND THUAJSE SI AMERIKA

“Paanshmëria e rreptë dhe e sinqertë me fqinjët”, shpallet si synim i vendit.

Nga EDGAR ANSELM MOWRER

Tiranë, Shqipëti, 22 prill – Për herë të parë në jetën time jam i pranishëm në lindjen e një shteti. Në prani të përfaqësuesve të Italisë dhe Britanisë së Madhe dhe anëtarëve të Kryqit të Kuq Amerikan u zhvillua sot seanca e dytë e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërsa shikoja punimet, mu kujtuan rrëfimet historike për seancat e gjata që mbaheshin dikur në Filadelfia, nga të cilat dalëngadalë lindi kushtetuta amerikane. Të huajt që janë të prirur të qeshin me shqiptarët – me varfërinë e tyre, mungesën e përvojës, mentalitetin turk dhe grindjet personale apo fetare, duhet të kujtojnë se si u formuan Shtetet e Bashkuara.

Organet qeverisëse, të dala prej kuvendit të patriotëve, përbëhen nga një lloj regjence prej katër anëtarësh, me një kabinet dhe një dhomë deputetësh, por vetëm tani përfaqësuesit e parlamentit, i pari i zgjedhur ligjërisht dhe me votën e popullit, mblidhen si individë të lirë. Duke përshëndetur anëtarët e organit ligjvënës, Dr. (Mihal) Turtulli i regjencës tha se politika shqiptare bazohet në “asnjanësinë e rreptë dhe të sinqertë me fqinjët” dhe se shpresonte që negociatat e pritshme për zbrazjen e trojeve shqiptare të mbajtura në mënyrë të paligjshme nga vendet e tjera do të përfundonin me sukses.

“Që Shqipëria është në gjendje të shkëlqyer, – tha ai, – këtë e tregon legjitimiteti i zgjedhjeve dhe qetësia që mbretëron në të gjithë vendin”.

VENDI NDESHET ME VËSHTIRËSI.

Megjithatë, Shqipëria po përjeton disa vështirësi. Rivaliteti fetar ka penguar zgjedhjet në Shkodër; zgjedhjet e Dibrës po kontestohen, ndërsa qarku i Himarës, ku grekët janë të fortë, ndodhet në një lloj revolte. Në Gjirokastër dhe Korçë elementi shqiptar ka mbizotëruar plotësisht.

Anëtarët e parlamentit të ri janë jashtëzakonisht demokratikë. Sot në mëngjes, me miratim të njëzëshëm, u hoqën titujt “bej” dhe “pasha” me origjinë turke dhe një nga aktet e para të asamblesë së re do të jetë miratimi i ligjit për heqjen e të gjithë titujve. Tani e tutje të gjithë njerëzit do të quhen “zoti” ose “z.”. Parlamenti i ri ndoshta do të jetë republikan edhe në frymë dhe, ndonëse mendohet se një formë monarkike e qeverisjes ka disa avantazhe, vendi mund të shpallet Republika e Shqipërisë.

Disa nga dallimet fetare u zgjidhën pjesërisht sot në mëngjes, kur Imzot Fan Noli dhe kleriku mysliman Hoxha Kadri, bashkëpunuan si pjesë e një komisioni. Asambleja e re është shumë nacionaliste. Procedurat janë solemne dhe seancat po zhvillohen në një sallë që duket si klasë shkolle në shtëpinë e dikurshme të familjes së Esat Pashës. Gjithçka është tepër e thjeshtë. Anëtarët e asamblesë janë të tipeve nga më të ndryshmit, nga evropiani kozmopolit e deri te kryeplaku i fshatit. Anëtari më i vjetër, që është kryetari i përkohshëm, ka moshën nën 60 vjeç dhe Asambleja është ndoshta më e reja në botë si moshë. Shumë prej deputetëve mbajnë feste shqiptare të zeza ose të bardha, ndërsa të tjerë nuk kanë asgjë në kokë. Hoxha Kadri mban një çallmë të bardhë mbi fesin e kuq.

NJË KUVEND PIKTORESK DHE SOLEMN.

Asambleja është sa piktoreske aq edhe solemne. Përbërja e saj duhet t’i bindë pesimistët se e kanë gabim kur deklarojnë se luftërat fetare do ta përçajnë Shqipërinë dhe kur flasin me përbuzje, duke e quajtur këtë vend një “Turqi të vogël”. Sigurisht që vështirësitë janë të mëdha, por vullneti për t’i tejkaluar ato dhe patriotizmi i madh i anëtarëve, për mendimin tim, janë në nivelin e vështirësive.

Vendi ka nevojë për ndihmën e huaj. Dështimi i fuqive për ta njohur Shqipërinë mund ta vonojë, por nuk mund të pengojë përgjithmonë formimin e këtij shteti të ri, ideali i të cilit janë Shtetet e Bashkuara. Sot shqiptarët po kryejnë me vetëbesim punën për shndërrimin e fshatit të Tiranës në kryeqytetin e një shteti të vogël, por aktiv dhe modern.