Shqipëria në Bordin e Paqes, Spiropali lavdëron Ramën: Trump e ka ftuar personalisht, lider i respektuar botërisht

Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali doli sot në një konferencë për mediat lidhur me ftesën e SHBA ndaj Shqipërisë për tu bërë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën.

Spiropali nxitoi të dilte në konferencë duke lavdëruar kryeministrin Edi Rama, duke thënë se kjo ftesë është një vlerësim i drejtpërdrejt për lidershipin e kryeministrit shqiptar.

Madje sipas ministres, kjo ishte një ftesë personale ndaj Ramës, për të ruajtur paqen në Gaza. Gjatë konferencës, Spiropali tha se në letrën e Trump, shkruhet se Rama është një lider i respektuar botërisht.

“Në krye e mbi të gjitha, duhet pranuar se kjo ftesë është një vlerësim i lartë, për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, në rajonin tonë sigurisht, por edhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare.  Nuk ka dyshim se ftesa e Presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtëpërdrejtë për lidershipin e Kryeministrit Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i ‘Bordit të Paqes’.“, tha Spiropali.

Kjo e fundit u ndal edhe te kritikat që kryeministri Edi Rama bëri për ministrinë që ajo drejton prej tre muajsh, duke e konsideruar si të dështuar.

Spiropali ka mbështetur kritikat e tij, duke thënë se është dakord me ato çfarë ka deklaruar Rama gjatë mbledhjes së grupit të PS pak ditë më parë. Edhe në këtë rast, Spiropali nuk doli kundër Ramës për të mbrojtur dikasterin që ajo po drejton, por ra dakord me fjalët e Ramës për një reformatim.

“Në dukje ka një kontradiktë mes nivelit të përfaqësimit dhe respektit që Shqipëria ka krijuar në nivelin ndërkombëtar dhe asaj që u tha për nevojën për strukturim dhe reformim, konstatim për të cilin jam dakord. Në këto 100 ditë që unë drejtoj Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, kam parë njerëz me ekspertizë të jashtëzakonshme ashtu siç padiskutim, kemi bërë një analizë të nevojave për reformim, si ligji për diplomacinë që kalon më 28 janar që do i japë më shumë hapësirë meritokracisë, talenteve të reja, hapjes së ministrisë për të rinj që kanë punuar në organizata të jashtme dhe duan të japin një kontribut për Shqipërinë.”, tha ajo.

Spiropali shkoi me tej duke thënë se deklaratat ku theksohet me forcë lufta kundër karteleve të drogës dhe krimit të organizuar nuk kanë lidhje të veçantë me Shqipërinë, por lidhen me prioritetin ndërkombëtar të SHBA-së në luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

“Ju besoj i referoheni prioritetit të shpallur nga sekretari Rubio dhe Departamenti i Shtetit për luftën kundër karteleve dhe krimit të organizuar, i cili është një prioritet global. Në asnjë moment sekretari Rubio apo të tjerë nuk i janë referuar Shqipërisë në mënyrë konkrete. Sigurisht, Shqipëria nuk përjashtohet nga fenomenet e tilla, por nuk mbajnë përgjegjësi as shqiptarët dhe as autoritetet në vendet e tjera ku ato shfaqen, qoftë në Amerikën Latine, Evropë apo më gjerë. Prioriteti ynë është që marrëdhëniet me SHBA të mbeten të forta dhe strategjike, dhe Shqipëria ka përparuar në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pavarësinë e gjyqësorit, duke u bërë një vend kandidat pararoje në rajon”, tha Spiropali.