Shqipëria kërkon të mbyllë portat e “Parajsës së Kriminelëve”, marrëveshje me Emiratet Arabe për ekstradimin e të shpallurve në kërkim

Dubai cilësohet shpesh si “Parajsa e kriminelëve shqiptarë”, të cilët gjejnë strehim atje pasi janë shpallur në kërkim në vendin tonë, për shkak se mes dy vendeve nuk ka marrëveshje për ekstradimin e të dënuarve apo të shpallurve në kërkim.

Por 3 draft-marrëveshjet e fundit të dërguara nga Ministria e Drejtësisë synojnë që të mbyllë portat e kësaj “parajse”, pasi Shqipëria synon të firmosë marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe, që do të bënte të mundur ekstradimin e këtyre personave me rekorde kriminale në vendin tonë, për t’u gjykuar apo për të vuajtur dënimet e dhëna nga gjykatat shqiptare.

Në draft-marrëveshjet e Ministrisë së Drejtëisë, janë 3 fushat që synohet bashkëpunimi: Ekstradimi; Transferimi i të dënuarve dhe Bashkëpunimi në fushën penale, ku synohet të sillen në Shqipëri personat që janë në ëkkrim për vepra penale, shqiptarët e dënuar në EBA dhe të rritet abshkëpunimi në hetimin e krimeve mes dy vendeve.

Por kush janë këta top të kërkuar që po shfrytëzojnë lehtësirat e legjislacionit të Dubait?

Të paktën pesë anëtarë dhe krerë bandash të dyshuar gjenden në këtë parajsë fiskale dhe ligjore, por burime jo zyrtare bëjnë të ditur se numri i tyre është edhe më i lartë, pasi këtij shteti, ata i janë drejtuar edhe në rrugë ilegale.

Endrit Dokle është një prej më të kërkuarve të drejtësisë që jeton dhe shijon mungesën e dipozitës ligjore të ekstradimit me Shqipërinë që nuk është e parashikuar në legjislacionin e Emirateve të Bashkuara Arabe, një hapësirë për fushëveprim kjo, që i jepet në këmbim të investimeve dhe bizneseve në këtë shtet. 
Dokle mundi të dalë nga qelia, edhe pse ishte dënuar përjetë me vendim të formës së prerë, pas një sërë kërkesash drejtuar gjykatës së Krujës, e përfundimisht përfitoi liri me kusht firmosur nga gjykatësja Enkeleida Hoxha. Ai dyshohet se ka qenë drejtues i një fraksioni të Bandës së Durrësit, i dyshuar si autor i një sërë vrasjesh e atentatesh të mbetura në tentative, siç janë edhe ato ndaj Lulzim Berishës, vepra penale që janë kryer në vite të ndryshme. Së fundmi ai është marrë në pyetje për masakrën me tre të vrarë, në mes të korrikut të 2022, mes të cilëve mbeti i vrarë edhe Brilant Martinaj, nipi i Ervis Martinajt. Edhe për zhdukjen e këtij të fundit, Dokle është marrë në pyetje, por ende nuk ka prova që ta implikojnë atë në këto dy ngjarje.

Eldi Dizdari, i njohur edhe si Denis Matoshi, është një tjetër emër i njohur i trafikut transnacional të kokainës, nga Ekuadori drejt vendeve të BE, që i fshihet drejtësisë europiane e asaj shqiptare në Dubai. Një nga personat e arrestuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Los Blancos” i shtrirë në 10 shtete, një hetim ky i kryer nga Prokuroria e Firences. Nga ana tjetër, SPAK e kërkon Dizdarin për ngjarjen e masakrës së Ish- Bllokut, me 4 tetor 2018, ku një konflikt mes tij dhe Ervin Matës, për pazare droge, përfundoi me vrasjen e Fabian Gaxhës, truprojës së Ervis Martinajt, e ndërsa ky i fundit mbeti i plagosur bashkë me Elio Hatën.  

Plarent Dervishaj, kunati i Lulzim Berishës është një tjetër person strehë e të cilit është bërë po Dubai. Ai është akuzuar për atentatet mafioze të biznesmenëve Vajdin Lame dhe Klodian Saliu në 2005, vrasje këto të kryera në një hark kohor me vetëm 24 orë diferencë. I shpallur në kërkim ndërkombëtar, ai u arrestua në Dubai nga deklarimet e të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi, në kuadër të operacionit “Asgjë nuk harrohet”, por ndryshe nga emri i operacionit, prangosja e tij u harrua shpejt, duke përfunduar me lirimin e tij. Plarent Dervishaj po ashtu akuzohet si porositës i atenatit të ish-prokurorit të shkarkuar nga veting-u, Arjan Ndoja, i cili “ngeli” për shkak të lidhjeve të dyshimta me krimin, pra në kriterin e pastërtisë së figurës. Nga atentati i fillim-nëntorit të 2019 te mbikalimi i Shkozetit, mbeti i vdekur në vend, shoferi i automjetit, Andi Maloku, ndërsa ish-prokurori i Durrësit, shoqërohej nga i ashtuquajturi “Rrumi i Shijakut”.

Një tjetër eksponent, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm, është edhe Florenc Çapja. Ky i fundit, së bashku me xhaxhain e tij Ardjan Çapja, pas rrëfimit të dëshmitarit të drejtësisë, Ervis Bardhi, u shpallën fajtorë si porositës të vrasjes së babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje kjo që tronditi vendin në 2012. Ndonëse për llogari të shtetit shqiptar, Çapja u arrestua, ai shumë shpejt gëzoi lirinë e tij, ndonëse i dënuar përjetë nga Gjykata e Posaçme.  

Mikael Qosja është një tjetër i kërkuar për vrasje që dyshohet se fshihet në Dubai. Ai njihet ndryshe në Elbasan dhe si “Kel Kamani” apo si “Keli i Kicit”. Ai akuzohet se në vitin 2018 ka qënë i përfshirë në atentantin ndaj Enea Alibej ( i njohur si Tarzani), daja i tij Albert Dylgjeri dhe shtetasit turk, Erdal Duranay.