Hungaria ka nisur ndihmën për Shqipërinë në përballjen me zjarret pyjore që po përfshijnë vendin prej javësh.
Forcat e Mbrojtjes hungareze kanë dërguar dy helikopterë të specializuar dhe ekipet e tyre për të mbështetur autoritetet shqiptare në shuarjen e flakëve, njoftoi ministri i Mbrojtjes hungareze, Kristóf Szalay-Bobrovniczky.
Helikopterët Airbus H225, pjesë e skuadrilit 86-të hungarez, së bashku me pajisjet për fikjen e zjarreve, si balonat “Bambi Bucket”, janë nisur nga qyteti Szolnok drejt bazës ajrore në Kuçovë. Nga atje do të angazhohen në operacionin e shuarjes së zjarreve në Parkun Kombëtar të Llogarasë, në Vlorë.
Autoritetet shqiptare kishin kërkuar ndihmë urgjente përmes Qendrës Evropiane të Koordinimit të Përgjigjes Emergjente (ERCC), për shkak të përhapjes së madhe të zjarreve në vend. Kërkesa iu përcoll Forcave të Mbrojtjes hungareze nga Drejtoria e Përgjithshme për Menaxhimin e Fatkeqësive.