Shpërthime të fuqishme janë raportuar në veri të Izraelit, pasi Irani dyshohet se ka nisur sulme hakmarrëse me raketa, në përgjigje të një sulmi të gjerë të ndërmarrë nga Izraeli me mbështetjen e SHBA-së ndaj territorit iranian.
Shpërthimet u dëgjuan menjëherë pasi ushtria izraelite njoftoi se do të aktivizonte sistemet e saj të mbrojtjes ajrore për të interceptuar raketat e lëshuara nga Irani.
Deri më tani nuk ka raportime zyrtare për dëme materiale apo viktima nga sulmet në vazhdim. Sirena alarmi për sulme ajrore janë dëgjuar gjithashtu edhe në Jordani.
Më herët, autoritetet në Teheran paralajmëruan se po përgatiteshin për kundërpërgjigje, pasi Izraeli kreu sulme ajrore mbi Iran në orët e para të mëngjesit të së shtunës, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.
Një zyrtar iranian, i cili foli në kushte anonimiteti, deklaroi se përgjigjja e Iranit do të jetë “shkatërruese”.