“Biography.com”
Dyzet e pesë pasagjerë dhe ekuipazhi hipën në bordin e avionit “Flight 571” të Forcave Ajrore Uruguaiane më 12 tetor 1972. Ata prisnin një udhëtim të zakonshëm nga kryeqyteti Montevideo deri në kryeqytetin e Kilit Santiago, duke kaluar përmes maleve Ande. Askush nuk e parashikoi aksidentin e tmerrshëm dhe luftën 72-ditore për mbijetesë që e pasoi.
Historia e tmerrshme e atij fluturimi dhe e pasagjerëve të tij – vetëm 16 prej të cilëve mbijetuan – është subjekt i filmit të ri “Shoqëria e borës” që po bën bujë në kinematë dhe platformat dixhitale. Me regjinë e regjisorit tashmë të njohur në skenën ndërkombëtare, J.A.Bajona, filmi spanjoll bazohet në një libër të vitit 2008 me të njëjtin titull.
Odisea tragjike e “Shoqërisë së Borës” nis me një ndeshje regbi. Në fakt, shumica e pasagjerëve në bord ishin lojtarë të ekipit amator të regbit “ Old Christians Club” në Montevideo. 19 lojtarët shoqëroheshin në atë udhëtim nga miqtë, familjarët dhe mbështetësit e tyre. Skuadra po udhëtonte për një ndeshje miqësore kundër ekipit “Old Boys Club”, një ekip anglez me qendër në Santiago.
Avionin e marrë me qira “Fairchild-Hiller 227”, e drejtonte kapiteni Hulio Sezar Ferradas dhe bashkë-piloti Dante Hektor Lagurara. Ferradas ishte një pilot me përvojë i forcave ajrore me më shumë se 5000 orë fluturimi – përfshirë 29 udhëtime nëpër Ande – ndërsa Lagurara ishte ende duke u trajnuar.
Udhëtimi nisi më 12 tetor në kohën e planifikuar. Por moti i keq e detyroi avionin dhe pasagjerët e tij të ulen dhe kalojnë natën në qytetin e Mendozas në Argjentinë. Ata u rinisën të nesërmen. Të penguar nga erërat e forta, pilotët ndoqën një trajektore në formë U-je për në Kili, përmes një shtegu malor për të shmangur majat me të larta të Andeve.
Por pilotët e nisën shumë shpejt zbritjen, dhe për pasojë të dy krahët dhe bishti i avionit u shkëputën menjëherë, ndërsa trupi rrëshqiti në një qafë mali me një shpejtësi të madhe. 12 njerëz vdiqën me menjëherë pas përplasjes, përfshirë pilotin kryesor Ferradas. Pjesa tjetër e pasagjerëve pësuan plagë në shkallë të ndryshme.
Njëri prej tyre, Nando Parrado, që luajti një rol kyç në mbijetesën e grupit, pësoi thyerje të kafkës, dhe qëndroi në koma për 3 ditë para se të zgjohej. Të mbijetuarit ndërtuan një mur të improvizuar me ndenjëset, bagazhet dhe copat e avionit, për t’u mbrojtur nga i ftohti dhe erërat e forta.
Atje ku ishin rrëzuar, temperaturat mund të bien disa gradë nën zero, dhe ajri i rralluar e bën të vështirë frymëmarrjen nëse qëndron gjatë palëvizur. Për të shmangur dehidratimin, të mbijetuarit u detyruan të hanin borë, e cila ishte aq e ftohtë sa u digjte fytin.
Ditën e katërt, të mbijetuarit panë një nga avionët e shpëtimit që fluturonte aty pranë, por rrënojat e avionit ishin kamufluar në terrenin me dëborë. Ditën e 10-të, ata dëgjuan në radion e tranzistorit të avionit se ishin ndërprerë operacionet e kërkimit-shpëtimit, duke i dhënë fund çdo lloj shprese për shpëtim.
Një javë më vonë, grupi u godit nga një ortek me dëborë. Vdiqën 8 pasagjerë të tjerë, duke lënë vetëm 19 të mbijetuar në një hapësirë që mund të ishte komode vetëm për 4 prej tyre. Ndërsa ditët e para ishin ushqyer me ato që kishin gjetur në gërmadhat e avionit, tani të mbijetuarit po përballeshin me një kërcënim tjetër të afërt:urinë.
Në ditët e para pas aksidentit, të mbijetuarit ishin përpjekur të raciononin ushqimin e tyre, duke ndarë në copa te vogla disa çokollata apo konserva peshku. Disa u përpoqën të hanin copa lëkure nga bagazhet e shkatërruara. Ata përdorën pjesët metalike për të krijuar një enë ku shkrinin borën për të pasur ujë të pijshëm.
Por me burimet e pakta ushqimore në majë të malit, ata u përballën shpejt me urinë dhe skenarin e tmerrshëm se do t’u duhej të konsumonin trupat e pasagjerëve të vdekur. Disa anëtarë të grupit që ishin katolikë praktikantë, besonin se do të shkonin në Ferr nëse do të merrnin pjesë në akte kanibalizmi.
“Ne pyesnim veten nëse do të çmendeshim, edhe nëse vetëm e mendonim një gjë të tillë. A ishim kthyer në egërsira? Apo ai ishte i vetmi veprim i arsyeshëm në ato kushte? Në fakt ne po i kalonim kufijtë e frikës sonë”- shkroi më vonë në kujtimet e tij Roberto Kanesa, një nga të mbijetuarit e asaj ngjarjeje.
Në fund, grupi arriti në një “marrëveshje”, që në fillim ishte propozuar nga njëri prej pasagjerëve që vdiq nga goditja e ortekut:Nëse një person do të vdiste, të tjerët mund ta përdornin trupin e tij për të mbijetuar. Daniel Fernandez mori përgjegjësinë e tmerrshme të prerjes dhe shpërndarjes së mishit.
Kanibalizmi u dha mundësinë atyre të mbijetonin për afro 2 muaj në kushtet e tmerrshme të Andeve, derisa moti nisi të përmirësohej. Në atë moment, Kanesa, Parrado dhe Antonio Vizintin, kishin vendosur të lëviznin dhe kërkonin ndihmë për shokët e tyre.
Përpjekjet e hershme për të eksploruar zonën përreth rrënojave ishin të kota, për shkak të kushteve të pafavorshme, përfshirë lartësinë e madhe, të ftohtin ekstrem dhe kërcënimin nga verbëria e shkaktuar nga bardhësia e borës. Në këto kushte të tre nisën të stërviten për të përshkuar peizazhin me dëborë dhe morën racione shtesë ushqimi për të pasur më shumë energji.
“Qëkur hodha hapin e parë për t’u larguar nga pjesa tjetër e grupit, e dija se nuk do të kthehesha më. Ajo ishte një ekspeditë kamikazësh”- do të deklaronte Parrado për “The Guardian” në një intervistë dhënë vitin e kaluar. Në fillim ata gjetën bishtin e aeroplanit dhe brenda tij valixhe me sasi të vogla ushqimi, veshje të ngrohta dhe bateri.
Ata u përpoqën ta përdornin këtë të fundit për të vënë në punë radion dhe kërkuar ndihmë shpëtim, por nuk patën sukses. Në atë moment, ishte e qartë se duhej të përpiqeshin vetë. Më 12 dhjetor, në ditën e 61-të pas aksidentit, të tre u nisën në atë që mendonin se ishte një udhëtim relativisht i shkurtër.
Ecën rreth 5 kilometra mbi majën e malit dhe në luginat e Kilit, bazuar në informacionin e dhënë nga bashkë-piloti i avionit Lagurara pak para vdekjes së tij. Por Parrado, që u rrezikua shumë nga hiperventilimi dhe dehidrimi, arriti në majën më të afërt nga ku pa shumë male të tjera.
Parrado dhe Kanesa nuk panë zgjidhje tjetër veçse të vazhdonin të ecnin. “Unë i thashë:Hajde Roberto, nuk mund ta bëj vetëm. Shkojmë. Çfarë dobi ka të kthehemi pas? Të shohim se kush do të vdesë i pari nga ne?”- kujton Parrado. Vizintin u dha racionet e tij, dhe u kthye tek të mbijetuarit e tjerë në rënojat e avionit, duke shpresuar që shokët e tij do t’ia dilnin.
Parrado dhe Kanesa udhëtuan më shumë se 60 km gjatë 10 ditëve, duke parë në një moment gjurmë bagëtish dhe një kuti supe të ndryshkur. Më në fund, ndeshën një lumë dhe panë 3 burra në anën tjetër të tij. Për shkak se nuk mund ta kalonin, përdorën shënime të shkruara mbi një gur për t’u shpjeguar me pak fjalë se çfarë kishte ndodhur.
Burrat u hodhën disa copa buke dhe shkuan në stacionin më të afërt të policisë, 10 orë larg me mushka. Nuk vonoi shumë dhe në Los Maitenes, një fshat afër lumit, mbërritën disa helikopterë me një skuadër shpëtimi. Me gjithë sfilitjen nga udhëtimi, ai hipi në një nga helikopterët dhe i udhëzoi autoritetet deri tek të mbijetuarit e bllokuar në mal.
U deshën 2 udhëtime për të transportuar të gjithë të mbijetuarit, çka do të thoshte se disa u detyruan të qëndronin një natë shtesë atje në praninë e mjekëve që po i kuronin. Parrado u dërgua në një spital në San Fernando të Kilit, ndërsa shokët e skuadrës që mbijetuan u zhvendosën në një hotel në Santiago.
Parrado kishte humbur 45 kg, gati gjysmën e peshës së tij fillestare. Detajet e historisë së tyre u përhapën shpejt, duke i bërë të famshëm. “Për 6 muajt që pasuan, ne ishim të rrethuar nga gazetarë kudo që shkuam”- tha Parrado, duke shtuar se disa të panjohur që takoi u shprehën madje ziliqarë për përvojën e tyre.
Trupat e 29 viktimave të aksidentit u lanë në vendin ku u rrëzua avioni. Në kujtim të tyre, atje u ngrit një memorial. Kisha Katolike lëshoi një deklaratë duke e shfajësuar grupin e të mbijetuarve nga çdo mëkat në lidhje me kanibalizmin. Por detajet e frikshme të gjendjes së tyre, nuk i penguan disa media të shkruanin rrëfime të bujshme për aksidentin.
Ajo që hyri në histori si “Mrekullia e Andeve”, mbetet një histori tërheqëse e vendosmërisë dhe trimërisë së njeriut në rrethana ekstreme. “Unë e dua jetën. Sa herë që marr frymë, për mua është si një mrekulli”- tha Parrado për “The Guardian”. Filmi “Shoqëria e dëborës” po vlerësohet shumë nga publiku dhe kritika. Ai është pretendent për çmimet e Academy Awards dhe Oscar.