Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë dakord lidhur me shkeljet që u bën një ditë më parë nga Këshilli Drejtuesi i RTSH lidhur me garën për drejtorin e ri, pas dorëheqjes së Alfred Pezës.
Pas deputetes demokrate Ina Zhupa, edhe ligjvënësja socialiste Evis Kushi, njëkohësisht edhe nënkryetare e Komisionit të Medias, ka reaguar duke i bërë thirrje Këshillit Drejtues që të lejojë garën e hapur, transparente dhe meritokratike.
Nëse kjo gjë nuk ndodh ajo paralajmëron ndërhyrjen e Parlamentit në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës së garës.
“Nuk ndodh shpesh të jem dakord me kolegen Ina Zhupa, por pasi jam njohur me zhvillimet në RTSH nuk i heq dot asnjë presje reagimit të saj. I bëj thirrje Këshillit Drejtues të kthejë menjëherë situatën në normalitet dhe të lejojë garën e hapur, transparente e meritokratike. E kundërta do të ishte vetëasgjësim i Këshillit dhe Parlamenti do të detyrohej të ndërhynte në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës së garës, duke marrë masa drastike që ne nuk i dëshirojmë”, shkruan Kushi.
Ndërkohë më herët, deputetja Ina Zhupa, kryetare e Komisionit të Medias, e quajti çmenduri vendimin e Këshillit Drejtues të RTSH-së.
“Këshilli Drejtues shpik rregulla që nuk ekzistojnë, skualifikon 8 kandidat që plotësojnë çdo kriter ligjor duke shkelur ligjin. Nuk ekziston në ligj votim për tu futur apo jo në votim!!! Thjesht garë dhe votim për të zgjedhur drejtorin mes atyre që plotësojnë kriteret ligjore! Ku e kanë gjetur në ligj metodën e skualifikimit kur plotëson kriteret ligjore? Skualifikimi eshte kur nuk plotëson kriteret, ndryshe je në garë”, reagoi Zhupa.
Çfarë ndodhi dje gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues?
Me një votim të fshehtë u vendos që në fazën e dëgjesës të kualifikohen Aurora Polo, aktualisht drejtoreshë e komanduar e RTSH-së si dhe Jetmir Shpuza, drejtor i RTSH-së në Shkodrër.
Por anëtarët e Këshillit Drejtues përzgjodhën dy kandidatët për fazën e ardhshme pa diskutuar nëse plotësojnë kriteret apo jo.
Nga ana tjetër votimi konsiderohet i paligjshëm e për rrjedhojë i pavlefshëm sepse Kryetari i Këshillit dhe vetë anetarët kanë lejuar të votojë anëtari i Këshillit Drejtues, Mevlan Shanaj që gjendet në Vietnam, në një kohë që votimi duhet të ishte i fshehtë.
Kandidatët që u skualifikuan nga kjo garë janë: Laureta Roshi, Kliton Rama, Floriana Paskali, Eni Vasili, Harilla Koçi, Enrik Mehmeti, Flamur Buçpapaj dhe Ermal Hoxha.