Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) i ka kërkuar kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, të nisë procedurat për kallëzim në prokurori ndaj anëtarëve të grupeve të numërimit në disa zona zgjedhore, ku u evidentuan mospërputhje serioze gjatë procesit të rinumërimit të votave.
Sipas KAS, krahasimi mes tabelave të rezultateve të miratuara nga Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe gjendjes reale të fletëve të votimit në kuti, tregoi në disa raste tjetërsim të rezultatit të votave.
“Rinumërimi dhe rivlerësimi i votave në këto zona zgjedhore provoi në disa raste mospërputhje të theksuara midis tabelave te rezultatit të grupeve të numërimit nga KZAZ-të respektive dhe gjendjes faktike të fletëve te votimit në kuti gjatë procesit të rinumërimit në procedurën ankimore në KAS. Këto mospërputhje duhet të hetohen në një proces te mëtejshëm administrativ nga ana Juaj për te identifikuar anëtarët pjesë e Grupeve të Numërimit të Votave. Hetimi i mëtejshëm administrativ për rastet e sipërcituara është i një rëndësie të veçantë, sepse referuar rezultateve të nxjerra nga rinumërimi në procedurën ankimore në KAS, rezulton që, në një numër tabelash të rezultateve të numërimit dhe vlerësimit të votave, mospërputhjet e rezultateve të miratuara nga GNV-të, me ato që rezultojnë në fletët e votimit, janë të tilla që prima facie tregojnë se nga anëtarët e GNV-ve për raste të posaçme ka tjetërsim të rezultatit të votave”, thuhet në kërkesën e KAS.
Ky institucion thekson se këto mospërputhje mund të përbëjnë jo vetëm shkelje administrative, por edhe vepra penale që kërkojnë ndjekje nga organet e drejtësisë.
Në kërkesën drejtuar Komisionerit Celibashi, KAS nënvizon rëndësinë e nisjes së një hetimi administrativ për identifikimin e individëve përgjegjës dhe përcaktimin e natyrës së shkeljeve.
“Ky hetim administrativ ka rëndësi për të identifikuar dhe për të dalluar rastet që formojnë kundërvajtje administrative, rastet që ngrenë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova për kryerjen e veprave të caktuara penale në fushën e zgjedhjeve nga rastet që nuk formojnë shkak për procedim.”, thuhet më tej.