Një operacion anti-drogë është zhvilluar këtë të martë në Torino, Frozinone dhe në Shqipëri. Si rezultat është zbuluar një bandë kriminale që drejtohej nga dy vëllezër shqiptarë, identitetet e të cilëve nuk dihen ende.
Mediat e vendit fqinj shkruajnë se janë lëshuar disa urdhër-arreste, disa prej të cilave nuk janë ekzekutuar ende.
Operacioni, i quajtur “Car Wash” nisi pasi të dyshuarit përdornin një lavazh si bazë për të koordinuar trafikun e drogës mes Ekuadorit, Belgjikës, Francës, Spanjës dhe Italisë.
Ata, mes shumë gjërave të tjera, kishin ndërtuar dhe testuar një nëndetëse të vogël, e cila mund të drejtohet nga distanca, për të transportuar drogën. Mjeti ujor pavarësisht se ishte ndërtuar nuk ishte përdorur asnjëherë.
2 shqiptarët, duke shfrytëzuar burime të konsiderueshme financiare, rekrutuan ‘punëtorët e drogës’ në Itali dhe Shqipëri. Këta bashkëpunëtorë sipas të gjitha gjasave kishin për qëllim mbajtjen, transportin dhe shitjen e lëndës narkotike në territor.
Kokaina arrinte në Itali nga Amerika e Jugut. Fillimisht droga kalonte përmes Holandës, ndërsa më tutje shkonte në Torino nga Spanja ose Franca.