Shkarkohet pas digjitalizimit drejtori i Kadastrës në Vlorë, drejtoresha e re do ta drejtojë nga Tirana

Kadastra e Vlorës nuk gjen qetësi me zgjedhjen e kryetarit as pasi gjithçka u vendos të jetë online.

Mësohet se drejtoresha e ASHK Dallëndyshe Bici ka firmosur shkarkimin e drejtorit të Kadastrës së Vlorës, Erdet Mandi.

Në vend të tij është vendosur Ina Luçi, ish drejtoreshë e ASHK Tirana Jug ose Veri. Me sa duket drejtoresha e re do të drejtojë hipotekën e Vlorës nga Tirana, duke qenë se hipotekat janë kthyer në një shërbim që do të ofrohet online, siç e tha pak ditë më parë kryeministri Edi Rama.

“Nëntë drejtorë Kadastre janë ndërruar në Vlorë, deri ditën kur unë i numërova, pastaj hoqa dorë nga numërimi, hoqa dorë nga përpjekja si deputet i Vlorës, duke u konsultuar me të gjithë se si mund të bëhet, duke vënë një njeri, njëri më problem se tjetri”, tha Rama një javë më parë, duke paralajmëruar se të gjithë ata që i rrinë rrotull Kadastrës së Vlorës, si ujqërit një preje duhet të largohen pasi nuk ka vend.

Kujtojmë se dy muaj më parë Drejtoria e ASHK ka kallëzuar në SPAK disa zyrtarë dhe ish zyrtarë të Kadastrës së Vlorës, pasi dyshohet se kanë legalizuar një objekt duke cënuar xhaminë e Vlorës.