Elton Qyno
Një konflikt mes dy vëllezërve Gashi dhe dy këshërinje Ambri Sinakoli, Erion Çapja, ka përfunduar në të shtëna me armë në zonën e quajtur “Ura e Zezë”, që lidh Cërrikun me Papërin.
Ngjarja është rregjistruar mbrëmjen e të shtunës në afërsi të zonës ku mbeti i plagosur në atentat bashkëpuntori i SPAK, Nuredin Dumani. Katër të shtëna me armë në ajër janë realizuar nga persona të cilët tashmë janë shpallur në kërkim nga policia.
28-vjeçarin Ambri Sinakolin, nipi i fisit “Çapja” dhe 44-vjeçari Erjon Çapja si dhe dy personat e tjerë, Hejdi Myftari dhe Marlen Goxhaj, janë shpallur në kërkim
Sipas policisë, konflikti mes dy personave të shpallur në kërkim dhe dy vëllezërve Usama e Muhamed Gashi, ka lindur për shkak të djegies së një makine “Golf 7”, ngjarje kjo e ndodhur në 15 mars 2023 në qytetin e Elbasanit, ku mjeti i përkiste Jorgo Zhidros.
Për këtë çështje në muajin Mars 2023, prokuroria e Elbasanit arrestoi disa persona mes të cilëve, Jorgo Zhidron, Nazmi Liçin dhe Ambri Sinakolin. Ky i fundit ka qëndruar vetëm 30 ditë në burg pasi dyhohej si personi që kishte urdhëruar dhe financuar Nazmi Liçin, për djegien e makinës së Jorgo Zhidros.
Por pasi ka mbaruar afatin 30 ditor të qëndrimit në burg, Sinakoli është liruar. Por duket se situata dhe konfliktet kanë vijuar.
Teksa palët po ktheheshin nga Plazhi, ditën e shtunë janë përplasur fillimisht në qytetin e Lushnjës, ku kanë dëmtuar lehtësisht makinat. Ndërsa nga Lushnja në Rrogozhinë kanë ndjekur njëri-tjetrin, dhe në zonën e Rrogozhinës është qëlluar me armë në ajër.
Në dëshminë e dhënë 5 muaj më parë në polici Nazmi Liçi, shprehet se një grup prej disa personave, mes të cilëve Jorgo Zhidro dhe Usama Gashi, e kanë mbajtur peng në ambientet e resort “Panorama”, duke e dhunuar për disa orë.
“…në datën 15 Mars, rreth orës 11:00 teksa kam qenë i vetëm në afërsi të lagjes “Vullnetari”, me mjetin të cilin e kam marë me qëra, tip “AUDI”. Përpara meje, qëndroi një makinë tip “Audi” i Zi me xhama të zinj. Nga ky mjet zbriti Ardjan Zhidro, i cili u afrua drejt makinës time dhe i tha që donte të pinte një kafe me të. Unë duke qenë se e njoh Ardjanin, pranova. Ardjani më tha se do iknin te lokali i tij “Panorama”. Ardjani, u ul përpara si pasagjer në “Audin” e Nazmiut, kurse “Audi i zi” i shoqëroi. Kur kemi zbritur të “Panorama”, kanë shkuar tek pjesa ku pihet Shisha. Pas tij kanë ardhur edhe shumë persona të tjerë, gati 6-7 persona, ku ndër këta kam njohur djalin e Ardjanit që quhet Jorgo Zhidro dhe Usama Gashin. Këta persona që erdhën filluan të godisnin me grushta, shkopa bejsbolli dhe sende të tjera. Më kanë goditur në fytyrë dhe në trup. Gjithashtu më kanë thyer edhe celularin që kisha me vete. Pasi më rrahën për afro 2-3 orë, Jorgo Zhidro, më ka çuar në qytet me mjetin “Audi” të Nazmiut dhe personat e tjerë që ishin aty nuk i pa se ku shkuan…” – ka dëshmuar Nazmi Liçi.
Ndërkohë që debate gjatë kësaj kohe ka vazhduar dhe ditën e shtunë situata është agravuar dhe protagonistët e këtij sheri kanë përdorur armë, duke qëlluar 4 herë në ajër me pistoletë, teksa po ktheheshin nga plazhi.
Pas të shtënave, personat janë larguar me makina. Ndërsa policia ka identifikuar dhe arrestuar Marvis Preçi, për akuzën e “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”.
Ndërsa në kërkim policor si i dyshuar se ka qëlluar me armë, është Ambri Sinakoli, dhe dy persona të tjerë Hejdi Myftari dhe Marlen Goxhaj.
Aktualisht policia e Elbasanit po punon për arrestimin e personave të shpallur në kërkim policor.
Te ngjashme
/ 51 min Më Parë