Shembja e aksit Librazhd-Prrenjas, nesër në orën 12:00 hapet rruga alternative

Teksa aksi Librazhd-Prrenjas vijon të jetë i bllokuar prej disa ditësh, rruga alternative për qarkullimin e mjeteve do të hapet ditën e nesërme.

Lajmin e ka dhënë ARRSH, i cili njofton hapjen e rrugës të martën, duke nisur nga ora 12:00.

Kalimi do të hapet për të gjitha mjetet, makina të vogla, mjete transporti të qytetarëve dhe kamionat.

Hapja e rrugës pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe të rikthejë normalitetin për banorët dhe bizneset e zonës.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që, pas rihapjes, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e vendosura në segmentin ku janë kryer punimet.

“Rruga do të hapet nga dita e nesërme në orën 12:00. Gjatë kësaj periudhe me masat që morëm me devijimin e rrjedhës së lumit, që të mos godiste më poshtë hekurudhës dhe me lehtësimin e trupit të rrëshqitur, kemi bërë punën përgatitore për të mundësuar hapjen e trafikut.

E theksoj se ishte e domosdoshme, pasi punimet që do të nevojiten për rrugën alternative do të duan të paktën 60 ditë sipas vlerësimeve tona.

Ky aks do të ketë një gjatësi prej 1.3 km dhe një lartësi nga 5 metër deri në 10 metra. Segmenti i ri do të jetë i hapur për të gjitha mjetet, ne kemi katër ditë që e mbajmë në testim me të gjitha mjetet e rënda, dhe nuk ka shfaqur asnjë lloj cedimi”- u shpreh kreu i ARRSH, Ami Kozeli.