Forcat xheniere realizuan shembjen me shpërthim të kontrolluar të resortit ‘Saint Michelle Residence’, në pronësi të ish-kreut të arrestuar të IMT në Durrës, Ardian Halilit. Ndërkohë objektet e tjera më të vogla në fshatin Shetaj të Ishmit në Durrës u shembën me fadromë.
Nga verifikimet rezultoi se Saint Michelle Residence u ndërtua pa leje në një sipërfaqe prej 5600 m2, ku përfshiheshin dhoma hoteli, 11 garsionera, pishinë, një ambient sportiv dhe një restorant, u ndërtua nga viti 2018 e në vazhdim, periudhë gjatë së cilës Halili ishte në krye të IMT-së deri në 2021.
Ndërkohë Ardian Halili ra në prangat e policisë dy ditë më parë. Blutë e Durrësit njoftuan se ish-kryeinspektori do të hetohet nga SPAK për 3 vepra penale: “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Halili është bashkëshorti i ish-prokurores së Durrësit, Rabiana Halili, e cila dha dorëheqjen gjatë procesit të Vetting-ut.