Të shumtë kanë qenë qytetarët që janë habitur kur në furrën ku blejnë bukë përditë, kanë parë që shitës të jetë kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj. Ky i fundit ka punuar për disa orë si shitës për t’u takuar me qytetarët në një tjetër formë, teksa thotë se ka vendosur t’i takojë shqiptarët aty ku jetojnë e punojnë përditë.
Gjatë këtyre orëve të punës, Shehaj takoi qytetarë të ndryshëm që i folën edhe për problematikat e komunitetit ku jetojnë, ku u duhet të përballen edhe me rritjen e çmimeve dhe rogat e pensionet e ulëta.
“Sot isha në një furrë buke. Punova dy-tre orë bashkë me njerëzit e zakonshëm dhe u takova me shqiptarë të ndershëm, nga ata që ia dalin me djersën e balli dhe për të cilët çdo cent ka vlerë. Unë kam vendosur t’i takoj shqiptarët aty ku ata punojnë dhe jetojnë përditë. Të tjerët le të vazhdojnë të flasin e të këndojnë”, shkruan Shehaj krah videos që ka publikuar.