Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka demonstruar nga një pikë e këmbimit valutor se qytetarët shqiptarë humbasin në vit rreth 100 milionë euro vetëm sepse ende shitet dhe blihet me Lek.
“Me 100 euro, morën 9850 lekë”, shprehet Shehaj në videon e publikuar në rrjetet sociale. Këtë shumë ai e konverton sërish në euro dhe rezulton se merr mbrapsht 99 euro.
“E bëra këtë ndryshim për të treguar që të këmbesh eurot në lekë ka një kosto dhe kosto është nëse kisha 100 euro dhe bëra veprimin dy herë dhe humba 1 euro i bie që për çdo veprim, në veprimin e parë kostoja është 0.5%. Imagjinoni që në Shqipëri sipas Bankës së Shqipërisë këmbehen rreth 20 miliardë euro çdo vit. Dhe 0.5% e 20 miliardë euro janë rreth 100 milionë euro në vit.
Të gjithë ne, qytetarët, sipërmarrësit, emigrantët që sjellin paratë në Shqipëri, harxhojnë rreth 100 milionë euro në vit për të këmbyer euron në lekë”.
Një nga pikat e programit ekonomik të Partisë Mundësia është edhe adoptimi i monedhës Euro në Shqipëri, ashtu sikurse sot e përdor Kosova dhe Mali i Zi, Kjo, do të rezultonte një ndihmë shumë e madhe për bizneset dhe sidomos për eksportuesit të cilët do të kishin më pak shqetësime për vlerën e prodhimit të tyre.
“Me adoptimin e euros në vend të lekut qytetarët shqiptarëa automatikisht do kursejnë rreth 100 milionë euro”, shprehet Shehaj.
Në video, Shehaj shihet teksa i shpjegon edhe një qytetari se propozimi i tij për adaptimin e Euros në Shqipëri do ishte më i duhuri. “Sepse të gjitha bizneset që kanë eksporte nga rënia e euros me 20%, kanë humbur 20% të xhiros vjetore me të njëjtat kosto”, thotë Shehaj.
Agron Shehaj garon në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit me Partinë ‘Mundësia’ e cila në fletën e votimit mban numrin 10.